LDK nuk i përjashton 'disidentët'

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i përjashtojë deputetët e saj që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Sipas drejtuesve të kësaj partie, LDK-ja asnjëherë nuk i ka përzënë anëtarët e saj. Ndërsa, zyrtarët që kanë dhënë këtë ide të apostrofuarit për largim i quajnë parashutistë

Ideja e dhënë nga disa kryetarë të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për përjashtim të pesë deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit është hedhur poshtë nga drejtuesit e kësaj partie. LDK-ja i konsideron spekulime mediale deklarimet për mundësinë e përjashtimit të deputetëve të saj, që në opinion njihen si “disidentët” e partisë.

Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se largimi i deputetëve për shkak se kanë qëndrim tjetër nga partia do të ishte i paarsyeshëm. Ata madje vlerësojnë se kjo do ta dëmtonte LDK-në.
Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë për “Zërin” se gjatë 26 vjetëve të ekzistimit të saj, kjo parti nuk e ka përjashtuar askënd. Sipas saj, LDK-ja është subjekt demokratik dhe se anëtarët e saj kanë të drejtë që ta shprehin lirshëm mendimin e vet.
“Kryesia nuk është trup që i përjashton deputetët dhe kjo çështje është ngritur nga mediet pa asnjë bazë. Në LDK për 26 vjet asnjë anëtar nuk është përjashtuar. Siç e keni parë, në LDK ka demokraci ku anëtarët mund të shprehin mendimin e tyre, ashtu siç e kanë bërë 5 deputetët që nuk kanë ardhur në seancë. Njëjtë kanë të drejtë edhe të tjerët të shprehin mendimin e tyre lidhur me zhvillimet dhe kjo paraqet bazën e demokracisë”, ka deklaruar Sahatqija.

Salihaj: Ata që dhanë idenë për largim kanë “rremb” komunizmi

Kurse Adem Salihaj, i cili është njëri nga deputetët e LDK-së që nuk ka marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, ka thënë se ideja e përjashtimit të deputetëve të LDK-së është dhënë nga dy apo tre persona që, sipas tij, u ka mbetur ndonjë “rremb” i komunizmit.
“Unë vetëm prej medieve kam dëgjuar dhe ato nuk janë qëndrime të LDK-së, por të dy apo tre personave që nuk shohin larg dhe që ndoshta u ka mbetur ndonjë ‘rremb’ prej kohës së komunizmit dhe që mendojnë se duhet të përjashtohen njerëzit që kanë qëndrime ndryshe. Por, unë nuk shqetësohem për këtë, unë jam në rregull me qëndrimet e mia dhe me ndërgjegjen time. Ndërgjegjja ime është shumë e pastër dhe qëndrimet e mia janë në përputhje me vullnetin e atyre që më kanë zgjedhur, kështu që nuk brengosem”, ka thënë Salihaj për “Zërin”.
Ai më tej ka sqaruar se për çështjen e qëndrimit apo jo në atë seancë ka biseduar me zyrtarët në LDK, por ka thënë se nuk ka pasur presione.
Edhe deputeti tjetër i LDK-së që nuk ka marrë pjesë në atë seancë, Shpejtim Bulliqi, ka thënë në “Rrokum roll” se kërkesat për largimin e këtyre deputetëve janë papjekuri politike e anëtarëve të LDK-së që kanë kërkuar një gjë të tillë.
“Ato janë papjekuri politike e atyre individëve, ata njerëz LDK-në e duan vetëm për interes, ata kanë shëtitur gjithkah dhe kanë lypur të gjejnë vend për t’i realizuar interesat e veta. Është faza kur janë futur në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe disa prej tyre kanë arritur t’i realizojnë interesat e veta”, është shprehur Bulliqi.

Bulliqi i quan “nomadë” Golën, Gashin e Muhaxherin 

Deputeti i LDK-së më tej ka thënë se ai ka kaluar nëpër të gjitha strukturat e këtij subjekti në kohët më të vështira dhe se askush nuk mund t’ia mohojë meritat. Madje, Bulliqi nuk ka hezituar t’i quajë nomadë e parashutistë kryetarët e degëve të LDK-së që kanë kërkuar përjashtimin e deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Kam kaluar nëpër të gjitha strukturat hierarkike të LDK-së. Mua askush nuk m’i ka falur këto të arritura, por të gjitha i kam arritur me punë, angazhim dhe sakrificë. Unë nuk jam në LDK pse do një nomad i tipit të Muhaxherit, apo të Gashit, apo të Golës. Unë në LDK kam ‘çejz’ siç thotë populli. Ata nuk mund të ma mohojnë, ata janë të vonë në LDK, janë parashutistë. Nuk kanë të drejtë të flasin në emër të LDK-së dhe as të kërkojnë largimin e dikujt nga partia”, ka shtuar Bulliqi.

 

Në anën tjetër profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se nuk ka nevojë të përjashtohen anëtarët e partisë për shkak se nuk pajtohen me qëndrimet e kryetarit. Sipas tij, po t’i përjashtonte anëtarët e saj LDK-ja do ta dëmtonte veten. Por, Burjani vlerëson se edhe deputetët që po distancohen nga LDK-ja për çështje të caktuara mund ta dëmtojnë veten në aspektin elektoral.
“Në rast se fillojnë të rezistojnë në këtë formë, nuk do të ketë nevojë të largohen sepse nuk është ky sistem monist e komunist të largohen njerëzit në mënyrë të tillë për shkak se nuk pajtohen me liderin. Nuk ka kurrfarë kuptimi në këtë rend demokratik dhe ai subjekt që largon anëtarë e dëmton veten. Këta njerëz po më duket që janë duke e dëmtuar veten, sepse në Kosovë e ke të vështirë nëse vazhdon të qëndrosh kundër subjektit që të ka propozuar për deputet”, ka vlerësuar Burjani.

Ai më tej ka thënë se nëse LDK-ja vazhdon më këtë formë të funksionimit rrezikon të përçahet.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nëse shkon në këtë drejtim prapë do të përçahet dhe kush fiton? Sigurisht se fituese nga kjo do të dilte Partia Demokratike e Kosovës”, ka shtuar më tej Burjani, duke thënë se Kosova ka nevojë për subjekt të ri politik që do të ofronte alternativë qeverisëse. Sipas tij, demokracia brendapartiake në subjektet politike në vend është e brishtë.
Përndryshe, ideja për përjashtimin e deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit thuhet të jetë dhënë nga kryetarët e disa degëve të LDK-së si: Gazmend Muhaxheri, Luan Gola, Fadil Gashi.

“Zëri” është përpjekur të marrë përgjigje nga këta zyrtarë të LDK-së, por kjo nuk ka qenë e mundur.