Trashëgimia kulturore e Gjilanit e përmbledhur në një libër

Njëmbëdhjetë vjet punë, vizita të pandërprera në terren, përkushtim e mund të punëtorëve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan janë përmbledhur në një libër të botuar nga QRTK-ja e që vjen si një adresë për t’i zbardhur sadopak gjurmët e lashta arkeologjike, arkitektonike, ato të kultit, si dhe gjurmët shpirtërore të këtij populli.

Artan Hoxha, drejtor në QRTK në Gjilan, thotë se ky libër kaherë i është dashur Gjilanit dhe Anamoravës. Sipas tij, veprimtarinë e saj prej njëmbëdhjetë vjetësh Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit e kurorëzon me një botim që i ka munguar kësaj krahine të Kosovës, Anamoravës. 

“Trashëgimia kulturore e Rajonit të Gjilanit” përmbledh në vete gjetjet dhe ndriçimet e deritashme, që nga prehistoria e deri në ditët tona.

Përmes dhjetë kapitujve për herë të parë në mënyrë më të plotë shpërfaqen gjurmët e gjetjeve arkeologjike që nisin me Nekropolin tumular të Llashticës, pastaj Kalanë e Pogragjës, si dhe kishat paleokristiane të Paldenicës, Laçit, Rezhanës e Seçishtes, por edhe të Kishës së Shën Varvarës në Kmetoc, Manastirin e Moçarit në Kamenicë dhe të Manastirit të Shën Mëhillit në Buzovik të Vitisë.

Kapitujt dy dhe tre përqendrohen në objektet e kultit të krishterë dhe atij islam, objekte këto si më të hershme, të ruajtura deri në ditët e sotshme dhe të përshkruara në detaje, të cilat falë edhe përkujdesjes së kësaj Qendre gjenden nën mbrojtje të përkohshme të shtetit.

Në këtë botim të ilustruar dhe me dhjetëra pamje me ngjyra, një vëmendje të posaçme iu përkushtohet edhe objekteve publike dhe atyre banesore, të cilat i shpëtuan dhëmbit të kohës dhe sot gjithashtu gjenden nën mbrojtje të përkohshme si dëshmi e mënyrës së zhvillimit të jetës shoqërore dhe individuale nëpër kohë.

Kapitujt gjashtë, shtatë, tetë dhe nëntë rishfaqin mesazhe shpirtërore, qoftë përmes një studimi rreth qytetit antik të Damastionit, vendndodhja e të cilit supozohet të ketë qenë në këtë pjesë të Kosovës, pastaj eksponateve të shumta dhe të ndryshme, të gjetura në këto hapësira, si dhe disa anekdotave të mbledhura e të shkruara, ashtu siç i ka ruajtur ky popull i kësaj krahine.

Kapitujt dhjetë dhe njëmbëdhjetë vënë në pah investimet e deritashme kapitale në këtë trashëgimi kulturore, sado simbolike qofshin ato, si dhe ndërhyrjet emergjente në një pjesë të objekteve të mbrojtura, të cilat kanë ndodhur falë një menaxhimi të mirë të drejtorit të kësaj Qendre, Arton Hoxhës, si dhe mbështetjes së institucioneve qendrore e lokale po edhe të ChWB (Trashëgimisë Kulturore pa Kufij), mbështetje që në të ardhmen do të duhej shumëfishuar.

Siç thotë Sabit Rrustemi, zyrtar për promovim, pjesë e këtij libri janë edhe lista e objekteve të kësaj krahine që përfshin 12 komuna e që janë në mbrojtje të përkohshme të shtetit, pastaj fotografi të shumta e vizatime grafike të objekteve, të cilat meritojnë një studim të mëtejmë nga arkeologë, arkitektë e njohës të kësaj fushe.

Nga fundjava e parë e marsit, ky libër do të prezantohet para publikut, duke filluar nga Gjilani dhe pastaj qytetet tjera të kësaj pjese të Kosovës, si një fushatë ndërgjegjësimi për ruajtjen e gjetjeve të deritashme të kësaj kulture që mbijetoi nëpër kohë, po edhe si grishje për hulumtime në këto anë, të cilat deri më tash kanë munguar thuaja tërësisht, njësoj, si dhe investimet për rimëkëmbjen shpërfaqjen dhe përkujdesjen ndaj kësaj trashëgimie që nuk është e pakët. /ZËRI/