Gjymtohen fëmijët nga pakujdesia mjekësore (FOTO)

Një nënë e re, me profesion ekonomiste, e ka vështirë të lexojë deri në fund fletëlëshimin  spitalor për djalin e saj A.B., që është liruar nga spitali para rreth dy vjetësh. E.B. (1988), qanë vazhdimisht derisa flet për të birin e saj që para vetes ka një sfidë të rëndë – të jetuarit pa dritën e syve dhe pa njërën dorë.

“Ka pasur peshën e lindjes 900 gramë, ka lindur në javën e 25-të”, thotë gruaja nga Prishtina derisa kujton 17 nëntorin e vitit 2013, kur në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK kishte lindur para kohe të birin e saj.

Ajo thotë se vetëm pak ditë pas lindjes është dashur që foshnja t’i nënshtrohej një intervenimi kirurgjik, që kishte kaluar me sukses.

Në sallonin e shtëpisë në “Lagjen e Spitalit”, në Prishtinë, nëna e re tek fshin lotët sjell lodrat për ta pajtuar djalin e saj. 2-vjeçari pos që ka vështirësi t’u ofrohet lodrave, për shkak të verbërimit si rezultat i mostrajtimit të retinopatisë premature, e ka problem edhe t’i kapë ato. Për të ato nuk e kanë kuptimin e plotë, pasi nuk i ka parë asnjëherë.

Me mundime fëmija ofrohet tek tavolina duke u ndihmuar më shumë nga shqisat e prekjes. Godet mbi tavolinë me dorën që i ka mbetur. Ajo është edhe lodra e tij, që mbledh gjithçka që mund të prekë përmes saj.

“Operacioni abdominal ka pasur sukses…”, thotë nëna, që është falënderuese për stafin e Kirurgjisë së fëmijëve.

Fëmijës iu thanë gishtat e dorës derisa e vizitoi kirurgu vaskular

Por, ajo tregon se pas operacionit djalit të saj i ishte vendosur një kanilë mbi bërryl.

“Është mbajtur ajo kanilë dy ditë. Përmes saj janë dhënë infuzioni, gjaku, ushqimet artificiale…”, tregon gruaja e lindur më 1988, e që në jetë kishte sjellë fëmijën e saj të parë.  

Djali i saj pastaj ka pasur një problem tjetër me ajër në mushkëri.

“Dhe është tërhequr ajri. Më datën 26.11.2013, e kam parë se bebes iu kishte nxirë totalisht dora e majtë”, thotë gruaja, e cila as që kishte menduar se ajo do të ishte shkaku që fëmija i saj i parë të mbetej tërë jetën pa njërën gjymtyrë të trupit.

“Kjo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë. Unë kam qenë aty non-stop dhe e kam përcjellë gjendjen e fëmijës. Kam qenë e para që e kam vërejtur dorën, as mjekja e as infermierja nuk e kanë vërejtur që dora është nxirë. Thanë pastaj do ta thërrasim kirurgun vaskular”, rrëfehet tërësisht e përlotur dhe me gjysmë zëri, ekonomistja nga Prishtina.

Gjendjen shëndetësore të bebes, ajo ka treguar se e ka përcjellë doktoresha Miradije Hyseni, në Klinikën e Neonatologjisë, në QKUK.

“Ajo nuk e ka vërejtur ndryshimin në dorë. E kam vërejtur unë në atë mbrëmje. Të nesërmen e ka marrë vesh. Doktoresha e ka thirrur kirurgun vaskular dhe ai nuk ka ardhur tri ditë rresht…”, thotë gruaja.   

Para se kirurgu vaskular të shkonte për ta vizituar beben, gruaja e re tregon se tek Reparti kishte shkuar për vizitë nëna dhe vëllai i saj.

“E pyesim një mjek për kirurgun vaskular, i themi doktor gjendja është urgjente. Tha çka po pyet për këtë fëmijë. Ti e di se çfarë fëmije ke sjellë…”, thotë gruaja, tek nuk ndalon së qari.

Atëherë thotë se i vëllai i saj ishte acaruar tepër shumë. “U nxeh puna shumë aty dhe ishte rrezik të vijë te ndonjë e keqe. I thashë doktor, kjo nuk është në rregull. Çka po të ishte fëmija yt…”, shprehet ajo.  

Mjekët hezituan t’i tregojnë nënës se duhej amputuar dora e foshnjës

Rrëfimi i nënës bëhet i trishtë. Sidomos kur tregon përkeqësimin e gjendjes së djalit të saj. “Tek pas tri ditëve ka ardhur kirurgu vaskular. Kur erdhi ai gishtat e dorës vetëm se kishin filluar t’i thahen fëmijës”, thotë nëna, tek rrëqethej kur kujton ato momente.

Kirurgu vaskular kishte biseduar me doktoreshën, Miradije Hyseni, që ka qenë në mbikëqyrje të bebes A.B.

“Ajo nuk ka guxuar të më tregojë mua. E kam dëgjuar me veshtë e mi kur i ka thanë kirurgut vaskular: Shuj se erdhi nana e vet…”, rrëfehet e prekur tej mase nëna e foshnjës.

Ajo atë moment iu kishte thënë se nuk kanë nevojë të heshtin, por nuk do të duhej që puna të vinte deri këtu.  “Ai tha nuk e dimë kur është bërë kjo. Iu thashë unë e di kur e kam informuar infermieren. Dhe, kirurgu vaskular tha duhet me amputu dorën, pasi konstatoi se djali kishte gangrenë”.

Por, ky lajm tronditës vështirë do të pranohej nga prindërit, që sapo iu kishte ardhur në jetë një fëmijë.  

“Kemi thirrur edhe një doktor prej sektorit privat, me leje të stafit. Ai erdhi për ta kontrolluar beben. Dhe edhe ai tha që djalit duhet t’ia amputojmë dorën”.

Por, nëna që ato momente thotë se ndihej tërësisht e mpirë, as pas kësaj konsulte nuk bindej që brisku i kirurgut ta këpuste njërën dorë të birit të saj të shtalb.

“Ishte një teze e imja që na tha ta provojmë një ilaç popullor, duke ia lyer me qumësht të dhisë së kuqe…”, thotë gruaja.

Por, kur kishin biseduar me mjeken dhe kur ia kishin thënë këtë, ajo i kishte kundërshtuar. “Kjo s’bëhet…”, na tha doktoresha.

Por, prindërit nuk donin që t’iu mbetet merak edhe kjo provë e fundit për t’ia shpëtuar dorën. “Donim t’i provonim të gjitha mënyrat. E dinim se më keq nuk kishte se çka bëhej. Kom provuar pastaj me qumësht të dhisë së kuqe”.  

Por, derisa nëna e lyente dorën e djalit të saj kishte parë se një pikë e zezë ishte formuar mbi bërrylin e vogëlushit.

“Dhe ajo e ndante pjesën e tharë dhe pjesën e shëndoshë të dorës”, thotë gruaja, që tregon se vazhdimisht dorën ia kanë mbajtur të lidhur.

Nëna E.B.: “Dora e djalit u këput, më mbeti në dorën time…”  

Me gjithë problemet, ajo tregon se fëmija filloi të zhvillohej. Dhe kështu, mjekët kishin vendosur që ta ofronin afër nënës.

“E marr unë fëmijën afër vetes dhe e mbaj. Kur dua t’ia ndërroj fashën dora e tij më mbeti në dorën time…”, thotë gruaja tek ndalon së foluri nga të qarat.

Pas disa minutash ajo rifillon të flasë. “Më nuk më kujtohet asgjë. Vetëm e di që ishin mbledhur të gjithë aty, ishte mbrëmje. Dhe pasi jam zgjuar doktoresha më kërkoi numrin e nënës sime. I thashë mos e thirr, sepse nuk doja ta mërzisë askënd. Ishte diçka shumë e rëndë”, thotë nëna E.B.

Ajo ka thënë se mjekja e kishte thirrur nënën e saj.

“Ka ardhur nëna ime dhe e ka parë. Atë natë nuk më kanë lënë prindërit e mi të qëndrojë në spital se thoshin qysh mundet ta përballojë kjo vetë natën. Por, unë s’kam dashur as në shtëpi të shkoj. Burrit nuk kam dashur t’i tregoj se ishte atë natë tepër mjegull. Qysh t’i them hajde se i ka rënë dora djalit. E kam thirrur burrin dhe i kam thënë po na duhen paloma të lagëta për djalin. Ishte trishtim”, rrëfen gruaja gjersa përshkruan vuajtjen e saj afatgjate.

Ajo insiston se sot djali i saj mbeti pa dorë si rezultat i vendosjes joadekuate të kanilës, kurse mbeti i verbër pasi mjekët nuk e identifikuan me kohë retinopatinë, një sëmundje që nëse nuk hetohet deri në stadin e tretë shkolit retinën me pasojë verbimin.

“Këtë na e kanë thënë edhe mjekët në Shkup. Por, ata na kanë thënë se gjithçka ka mundur t’i ndodhë një premature, po jo edhe t’i thahet dora e t’i bie në atë mënyrë”.

Por, as pasi djalit të saj i kishte rënë dora rrjedha e mjekimit nuk kishte ndryshuar në atë klinikë.

Drejtoresha aktuale e Neonatologjisë, Mynavere Hoxha, dhe ish-drejtori i Klinikës, Mujë Shala, bashkë me mjeken Miradije Hyseni, siç tregon gruaja E.B., i kishin thirrur në një mbledhje dy familjet. “Ishin familja ime dhe familja e bashkëshortit tim. Kjo mbledhje është mbajtur më 21 janar 2014, pasi djalit i ra dora. Na thanë aty që fëmija ka një infeksion, ka nevojë për terapi dhe nëse ndodh diçka ne nuk mbajmë përgjegjësi”, rrëfen gruaja për një moment tjetër shpërthyes.

Në atë moment nëna e E.B. që është punëtore shëndetësore, iu kishte drejtuar stafit: “Ku jeni qe dy muaj që nuk na keni treguar, por tash pasi shkoi njëra dorë t’i shkojë edhe tjetra?”.

Mjekët, sipas E.B. për të larguar përgjegjësinë nga vetja kishin propozuar që djali të dërgohet për mjekim jashtë vendit, pas më shumë se dy muaj që kishte lindur dhe kur kishte mbetur pa dorë. “Nuk kemi pasur mundësi pastaj ta dërgojmë jashtë, se na thoshin nuk mundet të mbijetojë rrugën. Mbeti djali në spital dhe Zoti deshi të mos i humbë ndonjë gjymtyrë tjetër apo edhe më keq”, thotë nëna.

Ajo thotë se në atë kohë ishte e dërrmuar dhe nuk kishte menduar të bëjë ankesë.

I gjymtohet hunda bebes shkaku i vendosjes joadekuate të sipapit

Në familjen Xheladini në Fushë-Kosovë, pos barrës së verbimit të dy nga trinjakët si pasojë e mostrajtimit të retinopatisë premature, kanë edhe problemin e gjymtimit të hundës së vajzës së vetme.

Nëna e vajzës ka treguar se hunda e vajzës i është deformuar si rezultat i vendosjes së dhunshme të sipapit.

“Kur ia vendosnin sipapin në hundë kjo ishte tepër e vogël dhe ia vendosnin dhunshëm. U thosha kujdes aman se më dhimbsej që është vajzë. Stafi më thoshin s’e kemi problemin e hundës sepse këtë e rregullon kirurgu plastik”, shprehet Shqipe Xheladini, nëna e vajzës që i është gjymtuar hunda e që së shpejti do të mbushë katër vjet.  

Por, prindërit jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe as që mund të mendojnë për ndonjë intervenim kirurgjikal plastik, duke pasur parasysh koston e lartë të këtyre intervenimeve.

“Nuk kemi mundësi ta çojmë për intervenime plastike. Njëherë për një herë jo. Më vonë nuk e dimë”, thotë nëna e vajzës.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me doktoreshën, Miradije Hyseni, e cila ishte mjekja që kishte në përgjegjësi direkte pacientin A.B. Por, Hyseni nuk ka pranuar në asnjë rrethanë që të japë përgjigje për mënyrën e trajtimit të pacientit të saj.  

As drejtoresha aktuale e Klinikës së Neonatologjisë, Mynavere Hoxha, nuk ka pranuar të flasë lidhur me pretendimet për keqtrajtim mjekësor me pasojë gjymtimin e fëmijës A.B. nga Prishtina, si dhe të vajzës së familjes Xheladini nga Fushë Kosova.

Sapo i kemi kërkuar që të na përgjigjet lidhur me rastin e këtyre fëmijëve drejtoresha, Mynavere Hoxha, ka mbyllur telefonin. Ajo nuk është përgjigjur as pas mesazheve telefonike që i kemi dërguar në numrin e saj e as pas kërkesës për një përgjigje që i është bërë përmes drejtorit të SHSKUK-së, Curr Gjocaj.

Ministri Rrahmani: Rastet e tilla të argumentuara, unë ftoj që të merren hetime

Megjithatë, nga Zyra për Informim e QKUK-së është dhënë një përgjigje e shkurtër në formë deklarate.

“Pas konsultës me drejtorin Gjocaj ju njoftoj se në kuadër të QKUK-së ekziston Komisioni i Ankesave, i cili merret ekskluzivisht me shqyrtimin e ankesave të pacientëve”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të QKUK-së, Shpend Fazliu.

Lidhur me rastet që i referohet gazeta, sipas kësaj Zyre, Komisioni Ankimor nuk ka pranuar ndonjë ankesë. “SHSKUK-ja shqyrton me seriozitet çdo ankesë të raportuar nga palët, edhe rasti në fjalë do të hulumtohet dhe do të kërkohet informacion konkret nga Klinika e Neonatologjisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Por, prindërit thonë se janë të zhgënjyer me qasjen dhe trajtimin e fëmijëve të tyre.

“Kujt t’i ankohemi?!”, ka pyetur Jeton Xheladini, nga Fushë Kosova, babai i vajzës që i është deformuar hunda për shkak të vendosjes joadekuate të sipapit.

Gazeta “Zëri” ia ka treguar fotografitë e dy fëmijëve në një intervistë ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

“Po, rastet e tilla të argumentuara unë ftoj që të merren hetime dhe të përgjigjen individët”, ka thënë ministri, duke qenë në çdo rrethanë kundër linçimit kolektiv.

Ai ka thënë se prindërit gjithmonë mund të ankohen.

“Nëse vërtetohet përgjegjësia unë jam për të shkuar deri në fund. Drejtësi ka në Kosovë, vetëm duhet të respektohet ligji”, ka thënë ministri, Imet Rrahmani, pasi është pyetur për këto raste të gjymtimit të fëmijëve.