Të dyshuarit e rastit 'Stenta' udhëheqin klinika e spitale

Gani Bajraktari vazhdon të jetë drejtor i Klinikës së Kardiologjisë edhe pse emri i tij u lakua në skandalin “Stentat”.

Ai është një nga mbi 100 të dyshuarit për marrje të mitos në këtë rast, madje të një shume prej 21 985 euro, për të cilat Prokuroria beson se ai ka referuar pacientëve në spitalin “International Medicine Hospital”.

Të dhënat gazeta “Zëri” i konfirmoi në aktvendimin e Prokurorisë ku janë emrat e mbi 100 doktorëve të dyshuar në rastin “Stentat”.

Në Gjilan vazhdon të udhëheqë spitalin u.d. drejtori Besim Guda. Edhe ai është në listën e të dyshuarve të Prokurorisë në rastin “Stentat”. Guda sipas të dhënave të gjetura nga policia në kompjuterët e IMH-së, në këmbim të referimit të pacientëve në këtë spital ka marrë 300 euro.

Dy paraardhësit e Gudës, ishin arrestuar për korrupsion.

Njëri para disa vitesh, derisa ky i dyti u arrestua nga Policia muaj më parë për dyshime të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, duke u shkarkuar me automatizëm.

Udhëheqësit e dyshuar, të padenjë t’i drejtojnë institucionet shëndetësore deri në shfajësim

Ndonëse ndodhen në listën e të dyshuarve, asnjë veprim nga menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) nuk është ndërmarrë për këta zyrtarë të lartë që tashmë janë të dyshuar.

Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve, ka kërkuar që së paku udhëheqësve të lartë shëndetësorë, të futur në listat e të dyshuarve t’iu pezullohet posti.

“Mundësisht ishte dashur t’u pezullohej posti derisa nuk ka një vendim që ata i shfajëson”, ka thënë Besim Kodra, udhëheqës i kësaj organizate.

Sipas tij, edhe nëse drejtori i Kardiologjisë, por edhe ai i spitalit që është i dyshuar, edhe nëse nuk kanë marrë as edhe një cent të vetëm për çka dyshohen, problemet kanë ndodhur brenda këtyre institucioneve.

“Ata udhëheqës që i kanë emrat në listë, nuk janë më të denjë t’i udhëheqin ato institucione deri në shfajësim. Kështu që ishte dashur që menaxhmenti të merret me atë punë”, ka thënë Kodra.

Gani Bajraktari nuk ka pranuar të japë asnjë prononcim në këtë fazë në lidhje me çështjen për të cilën po hetohet nga Prokuroria.

Drejtori i SR të Gjilanit ndjehet i pafajshëm “para Zotit”

Kurse, u.d. drejtori i Spitalit të Gjilanit, Besim Guda, ka thënë se s’ndjehet fajtor.

“Para All’ahut të Madhnishëm e ndjej veten shumë të drejtë”, ka thënë drejtori që po hetohet për korrupsion. Ai ka thënë se ndjehet absolutisht i pafajshëm në lidhje me atë që po hetohet.

“Derisa gjykata të vendosë për fajësinë, unë jam i pafajshëm. A është prezumimi i pafajësisë. Kjo është gjithkund në botë, nuk e di qysh dikush mund të mendojë ashtu”, ka thënë Guda.

Ai ka thënë që ata që i kanë emëruar mendojnë ndryshe, atëherë ai tha se është për transparencë maksimale. “Unë jam i dyshuar për 300 euro që kurrën e kurrës në xhepin tim dhe të familjes time nuk kanë hyrë ato para. Po ta ndjeja veten vetëm pak fajtor kisha ikë prej aty”, ka thënë ai.

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, ka thënë për “Zërin” se meqë Prokuroria po bën hetime në lidhje me rastin “Stentat”, brenda shërbimit nuk kanë iniciuar asnjë procedurë.

“Ne nuk do të përzihemi e as nuk do të ndikojmë në këtë rast”, ka thënë Gjocaj.

Greva u ndërpre pas publikimit të emrave të të dyshuarve

Në anën tjetër, Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka sqaruar se nga e hëna është ndërprerë greva e kardiologëve në QKUK.

“Njoftojmë opinionin se pas takimit trepalësh në mes Sindikatës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kardiologëve u vendos që greva të ndërpritet në klinikën e Kardiologjisë”, është thënë në një njoftim të Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë.

Këta të fundit kanë inkurajuar Prokurorinë që procedurat hetimore t’i përshpejtojnë me qëllim të sqarimit të situatës.

FSSHK, po ashtu, ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial që të formojë një komision për hetimin e rrjedhjes së informacioneve të dala në publik e që sipas sindikalistëve kanë dëmtuar vetë procesin hetimor.

Greva e kardiologëve u ndërpe vetëm dy ditë pasi gazeta “Zëri” publikoi listën ekskluzive me emrat e gjithë mjekëve të dyshuar në rastin “Stentat”, si dhe shumat të cilat besohet se ata i kanë pranuar në këmbim të referimit të pacientëve.

Megjithatë, Sindikata ka njoftuar se greva është ndërprerë pa presion medial.