Batalioni i grave kosovare në ISIS

Numri i grave kosovare që i janë bashkuar organizatës terroriste në Siri e Irak (ISIS) është shumë shqetësues, por shumica nga këto gra janë shtyrë nga bashkëshortët që t’i bashkohen grupeve radikale.

Sipas ekspertëve të sigurisë, por edhe sociologëve, janë të pakta ato gra që kanë shkuar të pavarura në ISIS.

Pjesëmarrja e mbi 40 grave kosovare në ISIS, po sipas ekspertëve, po nxitet nga mungesa e perspektivës. Vetëm arsimimi dhe punësimi, sipas tyre, do të krijonte mirëqenie dhe stabilitet për të rinjtë në Kosovë, do t’i frenonte prirjet drejt ISIS-it.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se pjesëmarrja e femrës shqiptare në luftërat e huaja është tepër brengosëse dhe, sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore të cilat kanë bërë shumë pak ose fare hiç për femrën në Kosovë.

Madje, Islami thotë se edhe ato që me aq mund po arsimohen nuk po kanë vende pune.

“Të pashpresa për një të ardhme po ju mbështetën atyre trushpëlarësve, të cilët po ua premtojnë një jetë më të mirë në zonat e luftës”, thotë ai.

Islami thotë se rruga për të ndalur shkuarjen në Siri është që institucionet e shtetit, duke filluar nga Presidenca, Qeveria, komunat dhe shoqëria civile, urgjentisht të ndërmarrin hapa të nevojshme që femrës, por edhe të rinjve, t’iu sigurohet një jetë minimale dhe të mos marrin rrugën e pakthim drejt vdekjes së sigurt duke shkuar në ISIS apo në “Al Nusra”.

“Është koha e fundit sepse dikur bëhet vonë dhe nëse nuk ndërmerren hapa parandaluese, Kosova jo që do të jetë vend transit, por do të prodhojë terroristë. Ky është alarm për Kosovën”, thotë Islami për gazetën.

Ndërsa Leutrim Sahiti, doktorant i sociologjisë në Universitetin e Stambollit, thotë se faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të femrave që i bashkohen ISIS-it janë: kriza sociale, e rritur edhe më shumë nga krizat politike që tash e sa vite po e sfidojnë Kosovë, si pasojë e kësaj niveli i madh i papunësisë, izolimi i të rinjve në Kosovë, mungesa e perspektivës..., etj.

Shkuarja e grave në ISIS, fushatë e fshehur fetare

“Kosova si një vend në tranzicion me përfundimin e luftës së fundit ishte pritëse dhe vatër e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, të cilat kanë ardhur me misione të veçanta e që fatkeqësisht të gjitha janë pranuar të operojnë në Kosovë, duke mos pasur verifikim të punës dhe qëllimeve të tyre. Puna e këtyre organizatave dhe inkuadrimi i të rinjve në këto organizata ka ndikuar që shumë prej tyre të kenë simpati e përkrahje për këto organizata që në disa raste mund të kenë ndikuar që të rinjtë të rrisin simpatinë dhe përkrahjen për popujt dhe fenë që ato proklamojnë, e kështu edhe shkuarjen në ISIS”, thotë Sahiti.

Sipas tij, në veçanti shkuarja e femrave në ISIS është rezultat i një pune, angazhimi dhe fushate të fshehur që me vite ka ekzistuar në Kosovë.

Faktor, ai thotë, që ndihmon femrat kosovare për të realizuar qëllimin e tyre për t’iu bashkuar ISIS-it është fakti që Turqia është vend në kufi me Sirinë dhe për të shkuar deri në Turqi nuk nevojitet vizë.

Prandaj, ai thotë se edhe është e vështirë që të ndalohen, pasi që arsyetimi i tyre mund të jetë vizita turistike në shtetin turk e në fakt destinacioni i fundit i tyre është Siria apo Iraku. Sahiti mendon se femrat kosovare më shumë janë të detyruara të shkojnë nga bashkëshortët, me qëllim të dhënies së kontributit të tyre në luftë, duke u përkujdesur për “xhihadistë” apo edhe duke marrë pjesë edhe direkt në luftë.

“Shqetësim edhe më tepër mbetet fakti që shumë femra atje bëhen viktima të abuzimit seksual”, thotë ai për gazetën. Ndërsa thekson se dënimi i tyre në Kosovë është arsye pse të tjerët nuk kthehen, pasi që po i shohin koleget e tyre se çka po i pret në Kosovë.

Xhavit Jashari, nga Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, thotë për “Zërin” se deri më tani asnjë nga femrat kosovare që ka qenë pjesë e UÇK-së nuk është pjesë e ISIS-it.

Ndërsa numri i femrave në luftë, ai thotë, se nuk është konfirmuar ende për shkak të mospërfundimit të procesit të identifikimit dhe lëshimit të vërtetimeve për të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.

Megjithëkëtë, ai thotë se kontributi i femrës për ta fituar lirinë ka qenë shumë i madh, por pjesëmarrja nuk llogaritet të jetë e lartë.

Por, tani nuk e sheh të arsyeshme që femrat e Kosovës të angazhohen në luftë, sidomos luftë kjo, që ai thotë se nuk ka bëjë me popullin tonë.

Papunësia dhe edukimi çojnë në radikalizëm   

Edhe sociologu, Labinot Kunushevci, thotë për gazetën se shkaqet kryesore që janë nxitëse në pjesëmarrjen e kosovareve në ISIS përfshijnë mungesën e perspektivës dhe për këtë përgjegjësinë më të madhe, sipas tij, e bart Qeveria, shteti, të cilët nuk po punojnë mjaftueshëm në krijimin e një perspektive përmes arsimimit dhe punësimit që do të krijonte mirëqenie dhe stabilitet për të rinjtë në Kosovë.

“Kjo do t’i frenonte prirjet drejt ISIS-it! Me një përqindje kaq të lartë të papunësisë dhe me një nivel kaq të ulët të arsimimit e të edukimit prodhohen dy ekstreme: emigrimi ilegal dhe ISIS-i! Izolimi nga Evropa, mungesa e punësimit dhe mungesa e shkollimit reflektojnë në krizë dhe në vetëdije të ulët, të cilat pastaj prodhojnë frustrim, frustrimi prodhon reagim dhe reagimi që buron nga kriza pashmangshmërisht është reagim ekstrem dhe ky ekstrem ose shpërfaqet në vend (Kosovë) ose jashtë përmes emigrimit ilegal drejt vendeve perëndimore ose përmes pjesëmarrjes aktive në ISIS”, thotë ai.

Sipas Kunushevcit, mjerimi social, politik, ekonomik, nisur nga plani individual e familjar, reflekton me tendenca drejt ekstremizmit si për meshkujt, si për femrat.

“Shteti ta marrë më seriozisht dhe ta përmirësojë strategjinë dhe qasjen në këtë problem, mbi të gjitha duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar arsimin publik..., kleri fetar ta përmirësojë pak diskursin dogmatik në mënyrë që ta luajë rolin emancipues që duhet ta ketë dhe mund të arrihet nëse njihet realiteti i shoqërisë dhe nëse predikimet e tyre pasurohen me një qasje më plurale, sociologjike e kritike”, thotë Kunushevci.