Heronjtë e shqiptarëve nuk janë pjesëmarrësit në krime
Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Natasha Kandiq, shpreson se Gjykata Speciale do të ketë sukses dhe siç thotë ajo do ta përvetësojë publikun në Kosovë se heronjtë e popullit shqiptar nuk janë ata që janë përfshirë në krime kundër pjesëtarëve të minoriteteve dhe bashkëpunëtorëve të pretenduar të regjimit.
Këto komente Kandiq i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ku ka kërkuar që puna e Speciales të shoqërohet me intensifikimin e gjykimeve në Serbi për krimet në Kosovë. “Përndryshe, shumë njerëz në Kosovë dhe jashtë vendit, do të pyesin, ku është drejtësia për më shumë se 8,000 viktimat civile shqiptare. Gjeneralët serbë janë dënuar për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por në Serbi nuk ka gjykime konkrete ndaj oficerëve të policisë/ushtrisë në Mejë, Gjakovë, Korenicë, Bellacërkë, Krushë, Poklek dhe një numër të vendeve të tjera ku kanë kryer krime masive”, shprehet Kandiq.
Ajo ka folur edhe për vizitën e fundit të gjeneralit serb Dikoviq në Kosovë, i dyshuar për krime lufte në vend, duke thënë se kjo vizitë tregon se KFOR-i nuk e ndjek politikën e Qeverisë së Kosovës. Pasi që, sipas saj, në çdo vend tjetër, ky lëshim, i tillë si ftesa dhe ardhja e gjeneralit Dikoviq në Kosovë, duke ditur faktin se Fondi për të Drejtën Humanitare e ka akuzuar atë se dinte për krimet e luftës të kryera nga brigada e tij dhe për fshehjen e gjurmëve të krimit, do të pasonte me shkarkimin e komandantit të KFOR-it. Kandiq, po ashtu, është shprehur kundër ndërtimit të bazës ushtarake të Serbisë në Luginë të Preshevës.
Ka ende varreza masive në Kosovë dhe në Serbi
Zëri: Me fillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u pati thënë se do të diskutohet dhe do të zgjidhet edhe çështja e të pagjeturve. Deri më tani shumë pak është bërë dhe ende mbi 1600 shqiptarë rezultojnë të zhdukur dhe qindra serbë. Si mund të pretendohet të arrihet pajtimi mes dy popujve, kur ende shumë persona rezultojnë të zhdukur mes dy palëve?
Kandiq: Në bisedimet e Brukselit nuk përmendet e kaluara, përballja me të kaluarën, krimet e luftës, apo gjykimet, edhe pse të gjitha problemet të cilat janë subjekt i "dialogut", janë pasojë e konfliktit të armatosur dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Për këto thuhet se janë "kontribuues" për normalizimin e marrëdhënieve, por në fakt u nxorën jashtë thelbit.
Për të zhdukurit nuk ka asnjë fjalë, ashtu siç nuk kishte në Marrëveshjen e Kumanovës. Çështja e personave të zhdukur, me kalimin e kohës po bëhet një çështje politike gjithnjë e më e vështirë. Unë jam e sigurt se ka ende varreza masive në Serbi dhe në Kosovë. Përveç kësaj, ka gjurmë për djegien e trupave.
Por zbulimi i varrezave sekrete dhe fakte rreth asaj se ku dhe kur janë djegur, gjithmonë çon drejt oficerëve të rangut të lartë, siç u tregua në rastin e varrezës sekrete në fshatin Rudnicë të Rashkës. Ekzistenca e kësaj varreze është zbuluar nga një dëshmitar.
Nën presionin e BE-së, Qeveria e Serbisë hapi atë varrezë, por injoroi provat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare: varreza çon në fshatrat në komunat e Gllogocit dhe të Drenicës, ku në prill dhe maj 1999, njësia e motorizuar e Brigadës 37 vrau të paktën 300 civilë dhe pastaj, me urdhër të komandantit të brigadës, nënkolonelit Dikoviq, gjoja për “pastrimin e vendngjarjes”, ende nuk dihet numri i saktë i civilëve të vrarë, viktimat e krimeve të luftës u transferuan në Serbi dhe u fshehën në vende në pronësi të Ushtrisë Jugosllave. Unë nuk pres që zgjidhja e fatit të personave të zhdukur të bëhet shpejt, kryesisht për shkak se zbulimi i varrezave sekrete zbulon përgjegjësit për krimet dhe fshehjen e gjurmëve të krimit.
Emrat e të pagjeturve dihen, por për aq kohë sa familjeve nuk iu janë dorëzuar mbetjet mortore, që ata të mundë të organizojnë një varrim dinjitoz, për të shënjuar varret, kujtimi për ta mbetet vetëm brenda familjes. Mbetjet mortore janë simbol i rëndësishëm fizik i kujtimit për viktimat. Vetëm prania e vërtetë fizike e trupave iu jep fuqi të gjallëve për të kujtuar të vdekurit. Kur nuk ka trupa, atëherë nuk ka funeral, nuk ka varre apo ceremoni fetare në varreza. Kur nuk ka varre nuk ka kujtim publik për të të vdekurit, prandaj gjithçka mbetet brenda kujtimeve familjare.
Pajtimi është një proces, kurse zbulimi i varrezave të fshehta dhe zbardhja e fatit të pagjeturve janë pjesë e atij procesi. Pajtimi është një proces në vazhdimësi, i cili varet nga individët, por, mbi të gjitha, nga institucionet shtetërore dhe gatishmërinë e tyre për të përdorur mekanizmat që pengojnë përsëritjen e krimit dhe dhunës. Lista e viktimave, si dhe përcaktimi i rrethanave të vdekjes së tyre, përbën fuqinë me të cilën mund të lëvizë procesi i pajtimit me të tjerët në mënyrë të barabartë si në raport me veten.
Zëri: Sa është e rëndësishme zgjidhja e çështjes së personave të pagjetur dhe çka nuk është bërë si duhet deri më tani nga të dy vendet në këtë drejtim?
Kandiq: Gabimi është se çështja e personave të zhdukur nuk është temë bisedimi mes kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës. Po që se protestat në Kosovë të ishin organizuar me kërkesën që Qeveria e Serbisë dhe e Kosovës të zbardhin informacionet në lidhje me fatin e rreth 1.000 shqiptarëve dhe 450 serbëve, unë vendosmërisht besoj se çështja e personave të zhdukur do të ishte futur në agjendën e dialogut në Bruksel.
Zëri: A e shihni të nevojshëm krijimin e një komisioni regjional, i cili do të mundë të merrej me çështjen e të pagjeturve dhe a janë shtetet përkatëse të gatshme për këtë?
Kandiq: Sipas mendimit tim, një qasje rajonale mundëson komunikimin me viktimat nga "komuniteti armiqësor". Përvoja tregon se shqiptarët dhe serbët që kanë marrë pjesë në procesin konsultativ rajonal për mandatin e komisioneve rajonale ishin shumë të befasuar kur dëgjuan rrëfimet e ngjashme me përvojat e tyre.
Kjo ishte vendimtare për formimin e qëndrimit të tyre të ri që "viktimat duhen të ndahen nga armiku". Një rezultat tjetër i madh i komunikimit rajonal ishte arritja e pëlqimit të pjesëmarrësve se lista me emra përbën hapin fillestar në pajtimin dhe se në lidhje me vdekjen, të gjitha viktimat janë të barabarta. Kur bëhet fjalë për të zhdukurit, qasja rajonale është hapi më i lehtë për të zbuluar "sekretet". Përvoja tregon se dëshmitarët e krimeve më lehtë vendosin për të zbuluar atë që dinë pas dëgjimit të rrëfimeve të familjarëve të të zhdukurve nga "komunitetet e armikut".
Vuçiq të kërkojë falje për krimet në Kosovë
Zëri: Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq, kërkoi falje për viktimat në Bosnje, mirëpo jo edhe për ato në Kosovë. A do të mundë të ndihmonte ndonjë kërkim-falje nga ana e Serbisë për përmirësimin e raporteve me Kosovën?
Kandiq: Kur flasim për kërkim-falje në ish-Jugosllavi, kjo i referohet kërkim-faljes që ka bërë Willy Brandt. Megjithatë, ne nuk kemi politikanë siç ishte kancelari gjerman Brandt. Nga Kosova dhe politikanët, shoqatat e viktimave dhe organizatat e shoqërisë civile, dëgjohen kërkesa që Serbia t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet e kryera dhe pa kërkim-falje nuk ka pajtim.
Në anën tjetër, Shoqatat e viktimave serbe kanë shprehur dyshime të forta në lidhje me numrin e viktimave shqiptare të luftës (8,693 civilë dhe 2,122 anëtarë të UÇK-së), ata besojnë se shumica ishin anëtarë të UÇK-së që vdiqën në luftë, ndërsa për viktimat serbe thonë se janë me mijëra. Prandaj është e nevojshme për të identifikuar emrat dhe rrethanat e vdekjes për të gjithë viktimat. Kur të dihen emrat, nuk ka vend për manipulim të numrave, por ka vend për kërkim-falje. Pastaj kërkim-falja ka forcën e njohjes publike dhe pranimit të fakteve. Unë e mbështes këtë mënyrë.
Zëri: Si e shihni inkuadrimin e “Mbrojtjes Civile” në veri të Mitrovicës në institucionet e Kosovës, kur shumë pjesëtarë të këtyre strukturave dyshohet të kenë kryer krime?
Kandiq: Objektivisht, përfshirja e institucioneve ilegale serbe në institucionet e Kosovës kontribuon në ndërtimin e shtetit të Kosovës, dhe në këtë kuptim është një hap i mirë. Gjëja e dytë është perceptimi i publikut. Në Kosovë, është përhapur ndjenja se çdo serb i cili ishte në uniformë është një kriminel lufte, që, së pari, nuk është e vërtetë, dhe së dyti, e forcon perceptimin e publikut serb se viktimat shqiptare në fakt ishin anëtarë të "terroristëve" të UÇK-së që janë vrarë në luftime.
Zëri: Sa është demokratik pushteti në Serbi, kur komuniteti shqiptar në Luginë të Preshevës përballet me mungesë librash shkollorë?
Kandiq: Ka pasur edhe mosnjohje të diplomave, janë ndaluar të hyjnë abetaret nga Kosova dhe Shqipëria, por sot situata është më e mirë. Policia është e përzier, jo njëetnike, duke dëshmuar veten gjatë pranimit të refugjatëve. Figura e policit shqiptar duke e puthur një djalë i ri, një refugjat nga Siria, përshkoi botën. Pas kësaj, ai polic përjeton përvojat e përditshme ashtu që njerëzit i afrohen atij, përshëndeten me të, u pëlqen njerëzve të bëjnë fotografi me të. Ai polic ka bërë më shumë në afrimin e komuniteteve etnike se çdo institucion tjetër shtetëror.
Kundër ndërtimit të bazave ushtarake në Preshevë
Zëri: Si e komenton ndërtimin e një baze ushtarake të madhe serbe në Luginë të Preshevë, kur ky trekëndësh kufitar edhe ashtu është i stërmbushur me forcat ushtarake dhe policore?
Kandiq: Po, në Luginën e Preshevës ka shumë njësi ushtarake. Unë jam kundër ndërtimit të bazave ushtarake dhe përqendrimit të tyre në zona të përziera si Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Zëri: Së fundmi Kosovën e ka vizituar edhe ish-gjenerali serb, Ljubisa Dikoviq, të cilin e keni akuzuar personalisht për krime në rajonin e Drenicës dhe Dukagjinit. A është dashur KFOR-i ta lejojë ardhjen e tij në vendin e krimit?
Kandiç: Takimi i gjeneralit Dikoviq me komandën e KFOR-it, në bazën e tyre, tregon se KFOR-i nuk ndjek politikën e Qeverisë së Kosovës. Në çdo vend tjetër, ky lëshim, i tillë si ftesa dhe ardhja e gjeneralit Dikoviq në Kosovë, duke ditur faktin se Fondi për të Drejtën Humanitare e ka akuzuar atë se ai dinte për krimet e luftës të kryera nga brigada e tij dhe për fshehjen e gjurmëve të krimit, do të pasonte me shkarkimin e komandantit të KFOR-it. Në Kosovë, kjo çështje përfundoi me atë se KFOR-it ia shpjegoi Qeverisë se komandanti nuk ishte i informuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, që shefit të ushtrisë së Serbisë i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.
Dikoviq do të fitojë në Gjykatë
Zëri: Pse politika serbe po e mbron gjeneralin Dikoviq?
Kandiq: Presidenti i Serbisë e ka dekoruar gjeneralin Dikoviq në kohën kur Qendra për të Drejtën Humanitare publikoi dosjen “Rudnica”, e cila tregon përfshirjen e tij në transferimin dhe fshehjen e trupave të fshatarëve shqiptarë në Serbi.
Kryeministri është duke heshtur në lidhje me këtë, ai i dha mbështetje për themelimin e REKOM-it. Padia e bërë nga Dikoviq kundër meje dhe FDH-së do të përfundojë në favor të tij. Gjykata do të sjellë vendim se unë e kam shkelur reputacionin, nderin dhe dinjitetin e tij. Megjithatë, gjykata nuk mund të ndalojë publikimin e fakteve në lidhje me përfshirjen e gjeneralit Dikoviq në krime lufte në Kosovë.
Ai do të marrë një aktgjykim, por gjithnjë mbetet fakti se varri masiv në Rudnicë është zhdukur nga vendimi i tij kinse për "pastrimin e vendbetejës" në fshatrat e Gllogocit dhe Skenderajt, ku ishte e pranishme brigada 37 që atëherë komandohej nga gjenerallejtënant Ljubisha Dikoviq.
Kjo mbetet përgjithmonë, ndërsa aktgjykimi, në një të ardhme më të mirë, do të shërbejë si një shembull i keqpërdorimit të gjykatës për qëllime politike.
Vlerësimi im personal është se vendimi do të jetë në favor të Dikoviq-it, por ai nuk do të mbetet në pozicionin e shefit të Shtabit, por do të pensionohet. Unë besoj se kryeministri i Serbisë ka probleme t’ua shpjegojë Departamentit të Shtetit dhe Bashkimit Evropian se pse qeveria nuk vepron në zbulimin e varrezës masive në Rudnicë dhe në pretendimet e FDH-së se kjo varrezë e akuzon rëndë shefin e ushtrisë së Serbisë.
Zëri: Për këtë gjë ndaj jush ka nisur një proces gjyqësor në Serbi. A frikësoheni se do të dënoheni nga gjykatat atje?
Kandiq: Në 15 vitet e fundit të paktën 30 padi dhe disa kallëzime penale janë ngritur kundër meje. Policët në një numër të ankesave të ngritura kundër meje kanë kërkuar kompensim për dëmet, sepse unë gjoja kam shkelur reputacionin personal pasi në ankesën penale që FDH-ja ka paraqitur kundër komandantit të Brigadës 37 të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, gjoja për policët kam folur keq. Ato padi gjykata i hodhi poshtë, por pranoi ankesën nga gjeneral Dikoviq që gazetarëve t'iu ndalohet për të ndjekur gjykimin, duke u rreshtuar haptazi në anën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Çdo gjë tjetër, mendoj për akuzat, se "i shes" gjeneralët serbë, mbroj kroatët, myslimanët dhe shqiptarët, se nuk i shoh viktimat serbe, e gjithë kjo është gjë normale në një situatë të tillë si ajo në regjion dhe në Serbi. Unë nuk pendohem, jetoj në paqe me atë që jam duke bërë.
Zëri: Cili është qëndrimi juaj për Gjykatën Speciale, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës?
Kandiq: Do të ishte më mirë që gjykimi të bëhej në Kosovë para syve të publikut. Megjithatë, në këtë kohë kjo është e pamundur, kryesisht për shkak të dhunës së mundshme që disa grupe mund të ndërmarrin për të bllokuar gjykimin.
Krijimi i Gjykatës, e cila do të ketë fuqinë për të ndjekur penalisht krimet që nuk mundi t'i bëjë Tribunali i Hagës për shkak të juridiksionit vetëm për krimet e kryera deri në fund të qershorit të vitit 1999, që do të organizojë mbrojtje më të mirë për dëshmitarët sesa Tribunali i Hagës dhe gjykatat në Kosovë, dhe që, me shpresë se do të ketë sukses, të përvetësojë publikun se heronjtë e popullit shqiptar nuk janë ata që janë të përfshirë në krime kundër pjesëtarëve të minoriteteve dhe kundër bashkëpunëtorëve të pretenduar, që në Kosovë përbën temën e ndaluar të bisedës, shkon në favor të sundimit të ligjit. Nëse pas projektit të Gjykatës nuk do të qëndronin SHBA-të, askush në Evropë nuk do të ishte në gjendje për të realizuar idenë e krijimit të gjykatës për t'u marrë me krimet e kryera pas qershorit 1999.
Puna e Gjykatës Speciale duhet të shoqërohet me intensifikimin e gjykimeve në Serbi për krime në Kosovë. Përndryshe, shumë njerëz në Kosovë dhe jashtë Kosovës, do të pyesin: ku është drejtësia për më shumë se 8,000 viktimat civile shqiptare. Gjeneralët serbë janë dënuar për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por Serbi nuk ka gjykime konkrete ndaj oficerëve të policisë/ushtrisë për krime konkrete - në Mejë, Gjakovë, Korenicë, Bellacërkë, Krushë, Poklek dhe një numër të vendeve të tjera ku kanë kryer krime masive.
Zëri: Në Kosovë krijohet bindja se Gjykata nuk i dënon kriminelët e vërtetë, por pjesëtarët e UÇK-së. Cili është komenti juaj?
Kandiq: Në përfundim të hetimit, Clint Wiliamson tha se aktakuzat do të ngrihen kundër ish-anëtarëve të UÇK-së që kanë kryer krime kundër njerëzimit. Duhet besuar atij, ai është një prokuror amerikan, një prokuror i mirë, dhe një njohës i mirë i të gjithë neve dhe të asaj se çfarë ne kemi bërë që nga viti 1991.