Skënderbeu, ekipi i 108-të në renditjen botërore
2015 fantastike e Skënderbeut që solli edhe pjesëmarrjen absolute të një klubi shqiptar në grupet e Europa League katapulton kampionët e Shqipërisë në renditjen e klubeve për këtë vit kalendarik të IFFHS, Institutit Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave në Futboll, shkruan Supersport.al.
Në renditjen e vitit që lamë pas, Skënderbeu pozicionohet në vendin e 108 në botë për sa i përket klubeve, një klasifikim ky jashtëzakonisht pozitiv që përbën njëkohësisht një rekord për klubet shqiptare.
Për të kuptuar më mirë, Skënderbeu ka lënë në klasifikimin e 2015 të IFFHS skuadra me emër dhe buxhet disa herë më të madh, si Panathinaikos, West Ham, Everton, Torino apo Olimpik Lion.
Një tjetër e dhënë që bën më të qartë arritjen e Skënderbeut në termat statistikorë është fakti se për 2014, skuadra korçare klasifikohej në vendin e 369 në botë, dhe në harkun kohor të 12 muajve ka arritur të ngjisë plot 261 shkallë në renditjen e IFFHS.
Kjo arritje i detyrohet më së shumti ndeshjeve të Skënderbeut në Evropë që janë marrë në analizim sipas koeficienteve të vlerësimit nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll.
Pikërisht pjesëmarrja në paraaleminatoret e Europa League ka shërbyer në këtë mënyrë edhe për Kukësin që për 2015 ka arritur të pozicionohet në vendin e 196 në botë, ndërkohë që një vit më parë klasifikohej i 357-ti.
Për sa i përket gjigandëve të futbollit, 2015 kryesohet pa dyshim nga Barcelona si skuadra më e mirë e vitit duke lënë pas Juventusin, Napolin, Bayernin e Munichut, Paris Saint Germain, dhe Realin e Madridit që ndodhet në vendin e 7-të.