Gjuriq numëron fitoret diplomatike kundër Kosovës

Drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, duke numëruar fitoret diplomatike kundër Kosovës, ka thënë se viti 2015 ishte vit i tundimeve për popullin serb në Kosovë. Sipas tij, serbët e Kosovës me vështirësi ia kanë dalë të mbijetojnë në djepin e shtetësisë serbe, ku ata kanë tokat dhe pronat e tyre.

“Parandaluam grabitjen e Trepçës. Me ndihmën e miqve ndërkombëtarë parandaluam edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Patëm shumë fitore. Një nga ato është edhe arritja e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe me Prishtinën. Ky është rezultati, pavarësisht rezistencës së madhe dhe pengesave nga Prishtina mbi implementimin e këtyre marrëveshjeve”, ka thënë ai në një intervistë për Sputnikin serb.

Megjithatë, sipas Gjuriqit, një nga çështjet më të rëndësishme për serbët në Kosovë, Asociacioni i Komunave Serbe, nuk është përmbushur ende. Gjuriq ka thënë se për Serbinë nuk është i rëndësishëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pasi marrëveshjet janë arritur me pajtimin e të zgjedhurve legjitimë të vendit.

Gjuriq ka thënë se janari i vitit 2016 është muaji i rinisjes së negociatave me Prishtinën në Bruskel.Sipas tij, synim i Serbisë në negociata është fuqizimi i të drejtave dhe stabilitetit për serbët e Kosovës.