Tokë pjellore

Një shtet i vogël midis Evropës, por i lodhur dhe i rraskapitur nga luftërat dhe sundimtarët e po ashtu, i izoluar në katër anët. Por, as helmi i bombave dhe i barutit nuk pati çka t’i bëjë kësaj toke pjellore të sportistëve të mëdhenj. Kështu mund të përshkruhet Kosova, të cilën mezi e pranoi bota sportive në gjirin e vet, shkruan Zëri.

Dhe, organizatat ndërkombëtare nuk gabuan. Përkundrazi, me Kosovën anëtare, vlera e tyre shënon rritje. Mjafton t’i përmendim dhe t’i kujtojmë legjendat e kohëve më të vështira, që dolën nga toka e Kosovës, për t’u siguruar se ndërkombëtarizimi do të sjellë edhe plot të tjerë dhe shumë më lehtë. T’i kujtojmë legjendarët rend me alfabet.

Ardian Kozniku

Kur bëhet fjalë për Kampionat Botëror, të gjithëve na shkon mendja tek Ardian Kozniku. Është shqiptari i parë që ka marrë pjesë në këtë eveniment madhështor. Edhe pse nuk e shijoi asnjë minutë, sulmuesi gjakovar mori pjesë me Kroacinë në Botërorin 1998, duke e fituar medaljen e bronztë. E nisi karrierën te Vëllaznimi, për të kaluar më pas shkurt te Prishtina. Karrierën, kryesisht e kaloi në Kroaci dhe Francë, por luajti edhe në Qipro dhe Austri, ndërsa është i veçantë, pasi luajti për dy rivalët më të mëdhenj kroatë, Hajduk Split dhe Dinamo Zagreb. Sot, është i dashur për tifozët e të dyja klubeve. Një kohë ishte kryetar i Federatës së Kërcimeve në Ujë në Kroaci. Momentalisht është trajner futbolli.

Azem Maksutaj

Kosova njihet më shumë për aftësitë e sportistëve në sportet luftarake. Njëri prej tyre ishte edhe kikboksieri Azem Maksutaj, i cili në kohën e tij ishte i pakonkurrencë. 40-vjeçari ishte kampion i Evropës dhe i botës në kategorinë 77 kilogramë. Ai i ndërroi shpesh versionet, duke e fituar brezin e artë thuajse në secilin prej tyre. Azemi shquhej për shkathtësitë e jashtëzakonshme teknike, të cilat ishin fatale për kundërshtarët. Maksutaj, i cili e kishte përfaqësuar Zvicrën, i kishte fituar 14 tituj botërorë në divizione të peshave të ndryshme, ndërsa ishte pensionuar në vitin 2010, me qindra fitore në llogarinë e tij. I papërsëritshëm.

Aziz Salihu

Është zgjedhur sportisti i shekullit, madje me plot meritë. Aziz Salihu konsiderohet si krenaria e shqiptarëve. Një boksier i pathyeshëm në kohën e tij. Ish-Jugosllavia ishte e vogël për të dhe shkoi edhe më larg, duke i matur forcat me boksierë të njohur amerikanë dhe rusë. E përfaqësoi ish-Jugosllavinë në Olimpiadën e Los Angelesit, California, në vitin 1984 dhe u bë sportisti i parë nga Kosova që fiton medalje. Doli i treti dhe e mori të bronztën. Mori pjesë gjithashtu edhe në Olimpiadën e Moskës në vitin 1980 dhe në atë të Seulit, Kore e Jugut, në vitin 1988. “Zizi” gjatë karrierës i kishte mbi 500 meçe zyrtare dhe i kishte pësuar vetëm 26 humbje. Gjithashtu, fitoi edhe medalje të ndryshme në evenimente tjera të rëndësishme, raporton Zëri.

Besnik Hasi

Shqiptarët nuk e harrojnë asnjëherë Besnik Hasin. Kapiten për një kohë të gjatë i Kombëtares shqiptare, gjakovari bëri karrierë jashtë vendit. U bë legjendë e Anderlechtit për atë që dha si futbollist, një mesfushor ofanziv mjaft cilësor. Gjithashtu, e shkroi historinë e shqiptarëve, duke u bërë trajneri i parë që e udhëheq një klub të madh si Anderlechti. Me klubin mbretëror belg mori pjesë edhe në Ligën e Kampionëve, si lojtar dhe trajner. I rrallë.

Elvir Muriqi

Përpos Evropës, Kosova i kishte gjithmonë djemtë e saj edhe përtej Atlantikut. Ai që ia zbardhi më së shumti fytyrën ishte Elvir Muriqi. Boksieri pejan ishte i tmerrshëm për kundërshtarët në kohën e vet, duke i fituar 40 meçe, ndërsa i ka humbur 7. Ishte shumë pranë titullit të kampionit botëror, por ishte mposhtur nga Antonio Tarver, në luftën për brezin e artë të versionit IBO. Është 36 vjeç dhe ende nuk është pensionuar, por, me ato që i ka arritur deri tash, “The Kosovo Kid” ka hyrë në mesin e sportistëve më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Fadil Vokrri

Konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohëve në Kosovë. E udhëhoqi Prishtinën drejt lavdisë, duke luajtur në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, ndërsa më pas e shkroi historinë edhe te Partizani. Gjithashtu, ishte për një kohë të shkurtër edhe pjesë e Reprezentacionit të Jugosllavisë. Luajti edhe në Turqi, me Fenerbahçen, por edhe në Francë, ku jetoi më pas për një kohë të gjatë. Konsiderohet si Messi shqiptar. Momentalisht është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Granit Xhaka

I bëri krenarë shqiptarët në përgjithësi, por edhe zviceranët, duke e fituar Botërorin U-17 me ekipin helvetik. Që nga ajo kohë, Granit Xhaka pritej të bëhej lojtar i madh. Dhe, kështu doli. E nisi me Baselin, për të vazhduar më pas me Borussia Monchengladbachun. Me “Zvicrën e madhe” mori pjesë në Botërorin e Brazilit vjet, duke shënuar madje edhe gol. Paraqitjet impresionuese të viteve të fundit kanë bërë që mesfushori organizator të bjerë në sy të Bayern Munichut, por edhe Barcelonës. Graniti e ka karrierën përpara. Ai mund të arrijë edhe më tepër.

 

Haxhi Krasniqi

Po i ndjek me sukses hapat e kushëririt të tij, Luanit. Haxhi Krasniqi është momentalisht boksieri më i madh që ka Kosova. 27-vjeçari ishte bërë kampion i Evropës në versionin WBO në vitin 2011, por nuk u ndal me kaq. Në vitin 2012 e kërkoi edhe titullin botëror në WBO, por fatkeqësisht nuk ia doli, pasi pësoi humbje nga Nathan Cleverly. Junikasi punoi fort për ta pasur edhe një mundësi të dytë dhe ajo i erdhi, duke luftuar përsëri për titull të kampionit të botës, kësaj radhe në versionin WBA, por Haxhiu ishte i pafuqishëm përballë gjermanit Jurgen Brahmer. Mirëpo, boksieri kosovar, i cili e përfaqëson “në letër” Gjermaninë, është duke e kërkuar mundësinë e tretë, të cilën, ka premtuar se nuk do ta lëshojë. Ai synon të bëhet kampioni i parë botëror shqiptar i boksit.

Lah Nimani

Nëse përmendet termi trajner, atëherë secilit i shkon mendja te legjendari dhe i pavdekshmi Lah Nimani. Ishte boksier, por më shumë la gjurmë si trajner. Ushtroi boksierë të mëdhenj në atë kohë, përfshirë këtu Aziz Salihun, Mehmet Bogujevcin, Xhevdet Pecin, Nazif Gashin e Bajram Hashanin. Gjithashtu, e fitoi medaljen e artë olimpike si trajner në Moskë, me boksierin serb, Sllobodan Kacar. Thjesht, një legjendë.

Lorik Cana

Nuk ka shqiptar që nuk e admiron. Luan në fushë dhe patriot jashtë saj. Lorik Cana e ka bërë për vete tërë popullin e tij, për lidershipin e lindur që e posedon. I rritur në Zvicër, nga një familje që emigroi për një jetë të mirë, duke u larguar nga lufta që po niste në Kosovë, Cana e gjeti veten si është më së miri në sport. Luajti në klube të njohura si Paris Saint-Germain, Olympique Marseille, Sunderland, Galatasaray e Lazio, ndërsa momentalisht është pjesë e Nantes. Mirëpo, suksesin më të madh e arriti me Kombëtaren shqiptare, me të cilën u kualifikua në Kampionat Evropian, për herë të parë në histori. Cana ka hyrë tashmë në histori. Në “Francë 2016”, ai me shokë do të mundohen të shkojnë sa më larg, përcjell Zëri.

Luan Krasniqi

Konsiderohet si njëri prej boksierëve më të mëdhenj të Kosovës. Ishte kampion i Evropës në peshat e rënda, por edhe sfidues i kampionit të botës në versionin WBO. Mori pjesë në Olimpiadën e vitit 1996 dhe e fitoi medaljen e bronztë me Gjermaninë. Ishte kampion i shumëfishtë gjerman, por edhe kampion interkontinental në versionin WBO, të cilin e kishte fituar në vitin 2007. Mirëpo, në luftën e karrierës, ose më mirë të themi të jetës, nuk ia doli dot. Ishte shumë afër të shpallej kampion bote në versionin WBO, por u dorëzua pak para fundit në duel me Lamon Brewster. Në total i pati 35 meçe, prej tyre i fitoi 30, 4 i humbi dhe një përfundoi në barazim. Edhe pse e ka mbyllur karrierën qe një kohë, 44-vjeçari mbetet i paharrueshëm për shqiptarët, për emocionet që ua ka dhuruar.

 

Majlinda Kelmendi

Derisa pjesa dërrmuese e sportistëve kosovarë u rritën jashtë dhe i kishin mundësitë më të mira për të ushtruar dhe më të lehta për të arritur suksese, për Majlinda Kelmendin nuk ishte problem që ta arrijë kulmin botëror në Kosovë. Xhudistja pejane ishte dominuese absolute e xhudos botërore në dy vjetët e fundit. Fillimisht e fitoi botërorin për juniorë, por nuk u ndal me kaq. Me punën e jashtëzakonshme që e bëri trajneri i saj, Driton Kuka, 24-vjeçarja u shpall dy herë kampione e botës për seniore, në vitet 2013 e 2014, ndërsa sivjet nuk mori pjesë në këtë eveniment për shkak të lëndimit. Gjithashtu, është shpallur dy herë edhe kampione e Evropës. Majlinda mori pjesë edhe në Olimpiadën e Londrës, duke e përfaqësuar Shqipërinë, por u eliminua herët. Atë që nuk e bëri në vitin 2012, Kelmendi synon ta bëjë në Olimpiadën e Rios, vitin tjetër, ku do ta përfaqësojë Kosovën. Pejania synon t’ia sjellë vendit të saj medaljen e parë olimpike. Majlinda ka fituar gjithçka dhe në vitrinën e saj i mungon vetëm medalja olimpike.

Milaim Rama

Ishte njëri prej futbollistëve të parë që e kishte zgjedhur Zvicrën. Është legjendë e Thunit, por ka luajtur shkurt edhe në Augsburg. Milaim Rama është bërë futbollisti i parë shqiptar që luan në një Evropian, pasi e përfaqësoi shtetin helvetik në evenimentin që u mbajt në Portugali, në vitin 2004. Në kohë të vet, ishte sulmuesi më i mirë në Zvicër.

Naim Kryeziu

Viteve të fundit, futbolli italian është mbushur me futbollistë shqiptarë. Mirëpo, 50-60 vjet më parë, kanë qenë të rrallë futbollistët shqiptarë që e kishin privilegjin të luanin në këtë ligë. Njëri prej tyre që e shijoi këtë ishte Naim Kryeziu. Futbollisti gjakovar kishte luajtur plot 8 vjet te Roma, duke i zhvilluar 122 ndeshje dhe kishte realizuar 27 gola, duke u bërë njëra prej legjendave të këtij klubi. Gjithashtu, luajti për një kohë të gjatë edhe te Napoli. Ai ishte edhe trajner i Romës, në vitin 1963. Ndërroi jetë në vitin 2010, por nuk do të harrohet asnjëherë.

Riza Lushta

Kosova duhet të mburret me një si Riza Lushta. Mitrovicasi e kaloi pjesën më të madhe të karrierës në Itali, duke luajtur në klube të mëdha si Juventus e Napoli. Madje, me klubin më të madh italian kishte statistika impresionuese, duke realizuar 56 gola në vetëm 95 ndeshje. Luajti në Itali në të njëjtën kohë me Kryeziun dhe ishin krenaria e Kosovës në atë kohë. Konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të mëdhenj shqiptarë në histori. Ndërroi jetë në vitin 1997 në Torino të Italisë. Për nder të madhështisë së tij, stadiumi i Trepçës ’89 e mban emrin “Riza Lushta”.

Taip Ramadani

Edhe sporti i hendbollit e ka legjendën e tij. Quhet Taip Ramadani dhe ishte lindur në Sydney të Australisë. E nisi karrierën në vendin e kangurëve, por për një kohë luajti edhe në Evropë dhe Azi. Si lojtar, kishte mbi 100 ndeshje për Australinë, ndërsa ishte edhe selektor i Australisë deri në vitin 2013. Është shprehur i gatshëm ta ndihmojë edhe hendbollin kosovar.

Valon Behrami

Konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptarë të 15 vjetëve të fundit. Valon Behrami nuk e fsheh asnjëherë faktin se është nga Kosova, edhe pse përfaqëson Zvicrën. Ka luajtur në Botëror e Evropian me shtetin helvetik, ndërsa ka fituar trofe edhe me skuadrat ku ka luajtur. E nisi me Veronën, për të vazhduar me Lazion, West Hamin, Fiorentinën, Napolin, Hamburgun dhe tash është pjesë e Watfordit. Një mesfushor shkatërrues, dominues absolut ndaj kundërshtarëve. I fuqishëm dhe i pakalueshëm, mitrovicasi bën që çdo trajner ta ëndërrojë në ekipin e tij.

Xherdan Shaqiri

Nëse do të pyeste dikush para dy vjetësh se a mund t’i shënojë një kosovar tre gola në Botëror, kjo do të mundë të konsiderohej një barsoletë. Por, këtë e arriti në praktikë Xherdan Shaqiri, i cili u bë shqiptari i parë në histori që realizon tre gola në Botëror. Ndodhi kjo vitin e kaluar në Brazil, ku ai e udhëhoqi Zvicrën drejt një paraqitjeje impresionuese në këtë eveniment. Është lojtari kyç i Zvicrës, ndërsa e pati mundësinë të luajë, krahas Baselit, në klube të mëdha evropiane si Bayern Munich, ku e fitoi Ligën e Kampionëve, por edhe në Inter. Tash është pjesë e Stoke Cityt, me shpresën që të ngrihet përsëri, për të luajtur në një klub të madh. Mosha ia lejon të shpresojë. Është vetëm 24 vjeç, shkruan Zëri.

Xhavit Bajrami

E provoi veten në sporte të ndryshme luftarake. E nisi me kikboks, e vazhdoi me tajboks dhe në fund edhe me fullkontakt. Në këtë të fundit kishte një rekord, pasi ishte i pamposhtur në të gjitha meçet që i zhvilloi. Gjithashtu, ishte kampion i dyfishtë botëror i tajboksit. Ishte i padiskutueshëm edhe në kikboks. Goditjet e Xhavitit ishin fatale për kundërshtarët. Madje, ishte “exhel” edhe për aziatikët, të cilët janë themelues të këtyre sporteve luftarake. Edhe ai e përfaqësoi Zvicrën, por gjithmonë u paraqit në ring me tuta të shkurtra kuqezi, me flamurin kombëtar shqiptar.

Të tjerët

Kjo nuk është lista definitive e sportistëve të mëdhenj që ka nxjerrë Kosova. Mbi të gjitha në boks, vlen të përmenden edhe legjendat Mehmet Bogujevci, Nazif Gashi, Xhevdet Peci etj., pastaj futbollistët Besart Berisha, Xhevat Prekazi, Luan Prekazi, Kujtim Shala, Fadil Muriqi etj., basketbollistin e dikurshëm, Ferid Zekolli, e shumë e shumë sportistë tjerë të dalluar, që lanë gjurmë të pashlyeshme. /Zëri/