Familja Maxhuni, ‘gufon’ nga sportistët
Janë të rralla familjet në Kosovë, por edhe më larg, që nxjerrin katër sportistë. Por, kështu nuk mund të thuhet edhe me familjen Maxhuni nga Mitrovica, e cila ka në radhët e saj katër anëtarë sportistë, shkruan Zëri.
Kryefamiljari, Hysni Maxhuni, ish-futbollist dhe trajner i njohur kosovar, mund të mburret me trashëgimtarët e tij, të cilët po ashtu e ndoqën rrugën e sportit.
Djemtë e tij, Besimi dhe Bekimi, ishin basketbollistë të suksesshëm, ndërsa i biri i Besimit, Edoni, e ka ndjekur rrugën e babait të tij, duke u marrë me basketboll. Hysniu e pranon se ka dëshirë që ndonjëri prej nipërve në të ardhmen të merret me futboll, por mburret me nipin e tij, i cili po arrin suksese në basketbollin finlandez.
“Edoni po luan basketboll në Finlandë. Ai është pjesë e U-17-shit të Finlandës dhe shpejt mund të dalë në ekipin A. Ka marrë pjesë në kampe të ndryshme dhe ka udhëtime të shpeshta me ekipin. Për fat të mirë është lindur e rritur jashtë, pasi në Kosovë nuk do të mundë t’i arrinte ato suksese”, thotë fillimisht Maxhuni senior.
“Nuk xhelozoj që Edoni nuk merret me futboll, por e pranoj se do të dëshiroja që një nip imi të merret me futboll, të jetë trashëgimtar imi në këtë sport”, vazhdoi ish-trajneri i Vëllaznimit dhe Hysit për Zërin.
Krenohet me djemtë
Hysniu ishte “shkrirë” kur i shihte djemtë e tij duke luajtur basketboll. Madje, i ishte plotësuar dëshira që ata të merren me sportin që luhet me duar. “Unë kur isha më i ri dëshiroja që fëmijët e mi të merreshin me sport, por jo me futboll. Në atë kohë kishim shumë angazhime me futboll, kur isha lojtar dhe nuk kishe kohë për gjëra të tjera. Prandaj, më ka ardhur mirë që Besimi dhe Bekimi janë marrë me basketboll”, kujton Maxhuni, përcjell Zëri.
Ai do të donte që sportistët në familjen Maxhuni të shtohen në të ardhmen. Mirëpo, me ata që ishin deri tash është i stërlumtur.
“Për mua është nder dhe krenari që bijtë e mi, por edhe nipi, e kanë zgjedhur botën e sportit. Përpos që jemi familje sportistësh, i kemi katër, më vjen mirë që ishim të suksesshëm dhe mbi të gjitha, që kishim kulturë në sport, gjë e cila është mjaft e rëndësishme”, përfundoi Hysni Maxhuni. Pa dyshim, sportistët e familjes Maxhuni shquhen për disiplinë dhe kulturë sportive, përpos kualitetit. /Zëri/