Courtois: Është e vështirë që një portier ta fitojë `Topin e Artë`

Portieri i Real Madrid, Thibaut Courtois, ka thënë se është shumë e vështirë që një portier ta fitojë sërish çmimin “Topi i Artë”, pasi vëmendja dhe votat zakonisht shkojnë te futbollistët ofensivë.

Portieri belg e ka dhënë këtë vlerësim të hënën, duke kujtuar se Lev Yashin, ish-portieri i Bashkimit Sovjetik, mbetet i vetmi portier që e ka fituar këtë çmim në historinë shtatëdhjetë vjeçare të tij. Yashin e kishte fituar "Topin e Artë" në vitin 1963.

Courtois ka thënë se edhe Manuel Neuer ishte shumë afër këtij çmimi në vitin 2014, kur përfundoi në vendin e tretë.

“Neuer iu afrua shumë në vitin 2014 dhe përfundoi i treti. Mendoj se edhe në vitin 2022 prisja të renditesha më lart. Karim Benzema e meritonte çmimin, por mendoja se duhej të isha më lart në renditje”, ka thënë Courtois.

Belgu e kishte fituar atë vit çmimin “Yashin”, që i ndahet portierit më të mirë, por në garën për "Topin e Artë" ishte renditur vetëm në vendin e shtatë. Ky ishte pozicionimi i tij më i mirë deri më tani.

Që nga triumfi i Yashin, vetëm pesë portierë kanë arritur të renditen në tri vendet e para të votimit për "Topin e Artë". Përveç Neuer, në këtë grup bëjnë pjesë Gianluigi Buffon, Dino Zoff, Ivo Viktor dhe Oliver Kahn, i cili ishte në mesin e tre më të mirëve në dy raste.

Courtois ka theksuar se paraqitjet e mira të portierëve shpesh mbeten në hije për shkak të një momenti vendimtar të sulmuesve.

“E dëgjon gazetarët të thonë se portierët e kanë çmimin Yashin. E kuptoj, sepse është e vështirë. Ne mund të bëjmë një paraqitje të jashtëzakonshme, por në minutën e fundit Mbappe mund të shënojë gol në finale dhe njerëzit mbajnë mend vetëm atë”, ka deklaruar ai.

Portieri i Real Madrid mendon se një portier mund ta fitojë "Topin e Artë", por për këtë do të duhej një sezon pothuajse i përsosur, me trofe të rëndësishëm dhe paraqitje të jashtëzakonshme.

“Një portier mund ta fitojë, por nuk jam i sigurt se çfarë sezoni do të duhej për këtë. Duhet t’i fitosh të gjithë trofetë, por në ekip ke edhe pesë apo gjashtë lojtarë që po luajnë shumë mirë”, ka thënë Courtois.

Ai ka përmendur si shembull bashkëlojtarët e tij Vinicius Junior, Jude Bellingham, Kylian Mbappe dhe Arda Guler, duke vënë në pikëpyetje se si votuesit do të mund ta zgjidhnin një portier përpara yjeve të tillë.

Që nga viti 2006, kur mbrojtësi italian Fabio Cannavaro e fitoi "Topin e Artë", shtatëmbëdhjetë nga nëntëmbëdhjetë çmimet në kategorinë e meshkujve u janë ndarë futbollistëve të pozicioneve sulmuese.