Nuhi Bytyçi promovoi “Librin e lirisë” - vepër publicistike, dokumentare dhe historike për rrugën e Kosovës drejt lirisë

Në kino “Armata” në Prishtinë u promovua "Libri i lirisë", vepra e tretë e gazetarit të luftës, publicistit dhe dokumentaristit Nuhi Bytyçi, botuar nga shtëpia botuese "Idea Multimedia".

Libri është njëkohësisht dëshmi autentike, vepër publicistike dhe dokument historik për dekadën vendimtare të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Promovimi filloi me shfaqjen e një dokumentari 25-minutësh me ngjarje nga libri.

Dhjetë vite rezistencë dhe luftë, në 1200 faqe dëshmi

Libri përmbledh krijimtarinë gazetareske të Bytyçit nga vitet 1989-1999. Me rreth 1200 faqe dhe me arkiv të pasur fotografish e dokumentesh historike, ai është organizuar në njëmbëdhjetë pjesë tematike.

Përfshin 22 emisione televizive, 21 dokumentarë, 10 kronika televizive, 24 reportazhe, 14 shkrime analitike, 15 vështrime dhe 23 intervista, të realizuara për Programin satelitor të Televizionit Shqiptar dhe, pas luftës, për Radiotelevizionin publik të Kosovës, si dhe të botuara në mediat e shkruara shqiptare të kohës në Kosovë e diasporë.

Materialet trajtojnë rezistencën paqësore, luftën e UÇK-së, ndërtimin e shtetit, çështjen shqiptare në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së.

"Liria lind dhe ruhet nga rezistenca": çfarë thonë redaktori dhe recensentët

Redaktori i librit, Prof. Dr. Bajram Kosumi, në recensionin e tij thekson se titujt e dy librave të Bytyçit, "Libri i luftës" dhe "Libri i lirisë", krijojnë vetëm një antitezë të dukshme: "Prandaj, dy librat e Bytyçit, pavarësisht titujve antinomikë, janë një tërësi dhe një vazhdimësi përmbajtjesore.

Mesazhin e librit ai e shpreh kështu: "Liria lind dhe liria ruhet nga rezistenca ndaj të keqes, ndaj dhunës, ndaj pushtimit, ndaj padrejtësive".

Sipas tij, ky mesazh nuk është i mësuar nga librat, por i diktuar nga puna më se dyzet vjeçare e autorit si gazetar "në shërbim të së vërtetës, të popullit të tij dhe të lirisë".

Prof. Dr. Astrit Salihu vlerësoi frymën e shkrimeve të Bytyçit në kohën e luftës.

"Fryma dhe gjuha që përdori Bytyçi, posaçërisht në emisionet dhe reportazhet gjatë luftës, ishte gjuhë e mosthyerjes së shpresës, e mbijetesës së popullatës civile, gjuhë optimiste".

Gazetari i karrierës, Aleksandër Çipa shkruan në recensionin e tij se libri nuk sjell vetëm kronikë, por edhe kujtesë e dinjitet:

"Ky libër është plotësim i kujtesës, rikthim i përhershëm i saj për gjakun e lirisë, por njëherësh është edhe një artefakt për etjen e përhershme për mendim dhe ide kombëtare atdhedashjeje".

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha vlerëson se për Bytyçin "gazetaria nuk ka qenë thjesht profesion, por mision". Në përfundim të recensionit të saj ajo shkruan: "Liria nuk fitohet vetëm me qëndresë dhe sakrificë; ajo ruhet edhe përmes kujtesës".

"Ky libër është shkruar nga zëri dhe sakrifica e njerëzve të Kosovës"

Në fjalën e tij, Nuhi Bytyçi tha se libri është shkruar në rrethanat e mungesës së lirisë dhe se ai nuk e ka shkruar vetëm.

"Ky libër është shkruar nga zëri, vepra dhe sakrifica e njerëzve të Kosovës." Sipas tij, libri është autentik, sepse secili që i ka përjetuar vitet vendimtare të rezistencës e gjen në të veten, zërin dhe frymën e vet.

Bytyçi theksoi se libri dëshmon qartë se projekti më i madh dhe më i organizuar politiko-ushtarak për lirinë e Kosovës ka qenë projekti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Si dëshmitar autentik i luftës, e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe në radhë të parë udhëheqja e saj politike dhe ushtarake, ka vepruar në frymën e vlerave të lirisë", tha ai, duke shtuar se kjo histori nuk mund të rishkruhet nga tendencat keqdashëse të gjykatës politike speciale në Hagë.

"Libri i lirisë e dëshmon më së miri se lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e ka arritur qëllimin e saj fisnik: lirinë e Kosovës", tha Bytyçi.

Në promovim ishin të pranishëm familjarë të ish-drejtuesve të UÇK-së, deputetë, përfaqësues të institucioneve, gjeneralë e eprorë të Ushtrisë së Kosovës, veprimtarë të çështjes kombëtare, kolegë gazetarë e shkrimtarë.

Libri që brezat e rinj duhet ta kenë në bibliotekë

"Libri i lirisë" është në shitje nga sot në librarinë "Dukagjini", "Buzuku", "Artini" dhe "Altera" në Prishtinë, si dhe në libraritë e tjera.