Dibrani: Mbi pesë mijë persona të privuar nga liria u përfshinë në programe rehabilituese

Mbi pesë mijë persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative, profesionale dhe rehabilituese, ndërsa rreth 600 raste të kontrabandës janë parandaluar dhe zbuluar në institucionet korrektuese.

Këto janë disa nga rezultatet që drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i ka prezantuar në ceremoninë e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Dibrani ka thënë se gjatë viteve të fundit SHKK-ja ka investuar në avancimin e kornizës ligjore, modernizimin e infrastrukturës, teknologjinë dhe ngritjen profesionale të stafit.

“Kemi avancuar kornizën ligjore përmes nxjerrjes së Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ndryshimit të ligjeve kryesore dhe miratimin e rreth 30 akteve nënligjore. Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit, me qindra zyrtarë të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe kemi fuqizuar institucionin me mbi 400 zyrtarë të rinj”, ka thënë ai.

Drejtori i SHKK-së ka theksuar se janë nënshkruar edhe dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi me organizata të shoqërisë civile, për të krijuar mundësi të reja për aftësimin e personave të privuar nga liria dhe përgatitjen e tyre për rikthim në shoqëri.

“Këto nuk janë vetëm statistika; janë njerëz që kanë fituar një profesion, një mundësi të re dhe një arsye më shumë për t'u kthyer si persona të dobishëm në shoqëri”, ka deklaruar Dibrani.

Ai ka veçuar edhe vlerësimet ndërkombëtare, duke bërë të ditur se në vitin 2025 Shërbimi Korrektues i Kosovës është nderuar me çmimin ndërkombëtar të ekselencës nga ICPA, duke u renditur në vendin e parë në botë për kujdes shëndetësor dhe rehabilitim.

Ndërsa në vitin 2026, një tjetër iniciativë e institucionit është përzgjedhur në mesin e pesë iniciativave më të mira në Evropë.

“Këto vlerësime kanë rëndësi të veçantë. Dikur mësonim nga praktikat e sistemeve më të zhvilluara, sot jemi shembull për shumë shtete të Evropës. Përvojat dhe rezultatet tona po marrin vlerësim ndërkombëtar”, ka thënë Dibrani.

Duke folur për sfidat, ai ka theksuar se institucioni ka nevojë për investime, modernizim dhe zhvillim të mëtejshëm profesional.

“Për 27 vjet, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dëshmuar se është pjesë e rëndësishme e ndërtimit të një shteti të fortë, të drejtë dhe demokratik”, ka përfunduar Dibrani. /rtk