Nelson Hysa s’e do vetëm titullin e kampionit të botës, kërkon meçin e madh ndaj Tyson Furyt
Nelson Hysa e kishte të qartë se dëshironte të përballej me Agit Kabayelin, menjëherë pasi në muajin gusht mposhti lehtësisht Thomas Nermonin.
Boksieri shqiptar shfrytëzoi mbrëmjen e madhe të boksit në O2 Arena të Londrës, ku ishte pjesë e kartës së duelit Filip Hrgovic – Moses Itauma, për të dërguar një mesazh të qartë. Hysa e vazhdoi serinë e tij të pamposhtur, duke regjistruar fitoren e 25-të në po aq meçe, 23 prej të cilave i ka fituar me nokaut.
Pa humbur kohë, ai iu afrua Kabayelit, i cili po e ndiqte ngjarjen nga afër dhe i kërkoi një përballje. Disa javë më vonë, insistimi i tij u shpërblye, pasi u konfirmua dueli mes tyre për këtë fundjavë në Gjermani, në stadiumin Merkur Spiel-Arena, ku zhvillon ndeshjet si vendas Fortuna Düsseldorf.
Në moshën 42-vjeçare, Hysa e di se mundësitë e tilla nuk vijnë shpesh. Për të, kjo mund të jetë shansi i vetëm për të luftuar për majën e kategorisë së rëndë dhe për t’u shpallur kampion bote.
“Kur e përfundova meçin, e pashë atë pranë ringut dhe shkova t’i ofroja një përballje”, ka treguar Hysa në një intervistë për DAZN.
Ai beson se ky duel ka kuptim si nga aspekti sportiv, ashtu edhe për tifozët shqiptarë, ndërsa nuk e fsheh bindjen se mund ta mposhtë kampionin e WBC-së.
“Mendoja se kjo përballje kishte kuptim. Unë dhe Kabayeli në një stadium të mbushur plot do t’i gëzonim njerëzit tanë.
Duhet të jem i sinqertë, mendoj se mund ta fitoj këtë meç. Djemtë që po luftonin për titujt e botës nuk mund të boksojnë. Gjithashtu, Duboisi ishte i angazhuar me Wardleyn, kështu që kjo ishte e vetmja rrugë drejt titullit botëror.
E pashë dhe duhej të shkoja t’i kërkoja këtë mundësi. Dua t’i falënderoj Frank Warrenin, George Warrenin dhe ekipin e tij, sepse kjo është një mundësi e madhe për mua, për njerëzit e mi dhe për flamurin tim”.
Ndërkohë, boksieri shqiptar ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen. Nëse arrin ta mposhtë Kabayelin, ai do të dëshironte të përballej me ish-kampionin e botës, Tyson Fury.
Hysa e vlerëson shumë boksin britanik dhe nuk e fsheh dëshirën për të ndarë ringun me Furyn, në një duel që potencialisht mund të shndërrohej në një përballje për unifikimin e titujve në vitin 2027.
“Ka shumë boksierë të mirë në kategorinë e rëndë dhe i vlerësoj shumë prej tyre. Boksi britanik ka shumë luftëtarë të fortë.
Nga të gjithë boksierët e mi të preferuar me të cilët do të dëshiroja të ndaja ringun, është Tyson Fury. Nëse ai e fiton titullin WBA, atëherë unë do ta fitoj WBC-në. Do të zhvillojmë një duel për unifikimin e titujve dhe kjo do të ishte fantastike”, përfundoi Hysa. /Telegrafi