Dy të mitur vjedhin autobusin, e vozisin për 8 kilometra dhe e përmbysin në kanal – dyshohet se u frymëzuan nga GTA 6
Dy të mitur në Itali dyshohet se kanë vjedhur një autobus nga një depo në qytetin e Rovigos, e kanë vozitur për rreth tetë kilometra dhe më pas e kanë përmbysur në një kanal, pasi humbën kontrollin e tij.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi të mërkurën, kur dy të rinjtë dyshohet se hynë në depon e kompanisë së transportit Busitalia Veneto, në rrugën Via Petrarca, pasi autobusët kishin përfunduar shërbimin ditor.
Para se të largoheshin me autobusin, ata dyshohet se dëmtuan rreth dhjetë automjete të tjera të parkuara në depo, duke thyer xhama dhe pasqyra.
Më pas, arritën të ndiznin njërin prej autobusëve dhe u larguan me të, duke përshkuar rreth tetë kilometra, deri në momentin kur humbën kontrollin dhe përfunduan në një kanal anës rrugës.
Pas aksidentit, dy të miturit u larguan nga vendi i ngjarjes, por hetuesit e Policisë së Rovigos arritën t’i identifikonin dhe lokalizonin.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është mundësia që veprimi i tyre të jetë frymëzuar nga videoloja e famshme Grand Theft Auto VI (GTA 6), e cila ishte publikuar në të njëjtën periudhë.
Në këtë videolojë, lojtarët mund të vjedhin automjete dhe të përfshihen në situata kriminale e ndjekje policore.
Megjithatë, autoritetet italiane nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes lojës dhe veprimeve të të miturve, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.