Studentët e UP-së protestojnë para Rektoratit, kërkojnë dorëheqjen e rektorit
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, së bashku me Këshillat Studentorë të fakulteteve, do të mbajnë sot në orën 11:30 protestë para Rektoratit të UP-së, në shenjë pakënaqësie ndaj rektorit Arben Hajrullahu dhe mosadresimit të kërkesave të studentëve.
Protesta vjen pas përplasjeve të fundit mes përfaqësuesve studentorë dhe rektorit, të cilat u intensifikuan pas bojkotit të mësimit në Fakultetin e Mjekësisë, për shkak të evidentimit të vijueshmërisë përmes kodeve QR.
Pakënaqësi shkaktuan edhe deklaratat e Hajrullahut, të cilat studentët i cilësuan fyese dhe kërcënuese.
Ata kanë kërkuar kërkimfalje dhe dorëheqjen e tij.