Malësia e Kamenicës po zbrazet, por banorët që kanë mbetur nuk dorëzohen
Dikur e mbushur me gjallëri, sot Malësia e Kamenicës ka mbetur kryesisht me pak banorë të moshuar. Ata pak që kanë vendosur të qëndrojnë, punojnë tokën dhe merren me blegtori, duke mos lejuar që tradita e jetës rurale të shuhet.
Banorët që kanë mbetur në Malësinë e Kamenicës thonë se jeta në fshat është e mirë për ata që kanë vullnet dhe dëshirë për punë. Ndonëse në Malësinë e Kamenicës fshatrat janë boshatisur prej vitesh, megjithatë interesimi për të shfrytëzuar këto resurse natyrore me bujqësi dhe blegtori dita-ditës është duke u shtuar.
Pas pensionimit, Nazif Aliu thotë se i është përkushtuar blegtorisë, ndërsa bashkëpunimin me fermerët e konsideron të rëndësishëm.
“Vijnë prej Kosovës Lindore, pastaj nga Maqedonia, e po ashtu nga Opoja, vijnë shumë shpesh. Kam shokë shumë të mirë atje që vijnë marrin qengja për mbarështim, e desh, por edhe nga Vushtrria. Sinqerisht prej të gjithave vendeve vijnë marrin te unë, sepse e kam racën e mirë të deleve dhe duan ta kultivojnë këtë racë”, tha fermeri Nazif Aliu.
Po nga ky fshat është edhe Behlul Murseli, i cili vazhdon traditën e bujqësisë dhe blegtorisë. Ai e konsideron të rëndësishme mbështetjen institucionale për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tij.
“Zakonisht rriti viça, e qumështin çka të mbetet e prodhoj djathë, gjizë. E shes në tregun e Gjilanit, i kam kështu klientët me porosi. Nuk ka kurrfarë problemi për t’i shitur, vetëm se a ke. Kërkesat janë të mëdha, po s'po i mbërrij të gjitha”, tha Behlul Murseli:
Punën në bujqësi dhe blegtori e bën me përkushtim në fshatin e tij edhe Aliu. Sipas tij, jeta në këto mjedise me ajër të pastër dhe natyrë të paprekur është e mirë.
“Unë jam i kënaqur në përgjithësi mjaft me to. Kanë angazhim, është e vërtetë që kanë angazhim sepse unë i vetëm jam këtu, ka punë shumë, por megjithatë ia dal falë vullnetit të pakrahasueshëm edhe mundësive. Mundësitë janë, kështu që jam shumë i kënaqur”, shtoi Aliu.
Malësia e Kamenicës vazhdon të mbahet gjallë nga ata pak banorë që nuk janë larguar. Ata shpresojnë se përmirësimi i infrastrukturës dhe investimet e bashkatdhetarëve do të ndikojnë në rikthimin e jetës në fshat. Përtej rrugëve dhe shtëpive të reja, ajo që i duhet më së shumti këtij vendi janë njerëzit që do t'i japin sërish jetë.