Mickoski dhe Rama promovojnë sistemin e përbashkët kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, sot kanë promovuar sistemin e përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë. Me këtë sistem synohet që kontrollet për udhëtarët dhe mallrat të kryhen në një pikë të vetme, me çka pritet të shkurtohet koha e pritjes dhe të lehtësohet qarkullimi mes dy vendeve, shkruan Portalb.mk.
Kryeministri Mickoski tha se vendosja e këtij sistemi do të lehtësojë transportin dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, përfshirë edhe fushën e turizmit.
“Është një kënaqësi e veçantë për ne që po e fillojmë një bashkëpunim të tillë përmes vendosjes së një pike të vetme kontrolli, One Stop Shop, që do të mundësojë transport më të lehtë dhe ndërlidhje më të lehtë ndërmjet dy vendeve. Me inaugurimin e kësaj pike kufitare, gjithashtu do t’i përforcojmë edhe lidhjet në të gjitha pikat e tjera kufitare. Siç u tha edhe në hyrje, kjo është një vlerë e shtuar për të dyja vendet, veçanërisht për bashkëpunimin në fushën e turizmit”, tha Mickoski.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar Edi Rama e cilësoi këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai tha se synimi përfundimtar është heqja e kontrolleve kufitare mes vendeve në kuadër të integrimit evropian.
“Deri tani në këtë doganë ishim “kontrollo-kontrollo”, tani jemi “beso-kontrollo”, ndërsa hapi tjetër është “beso-beso”, që të mos kemi asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt anëtarësimit në Evropë, pa kontrolle në kufijtë mes nesh”, tha Rama.
Kujtojmë se nga inaugurimi i gushtit të vitit 2023 nga vizita Rama–Kovaçevski, Qafë Thana ka funksionuar tashmë me një ndalesë të vetme, por jo me një kontroll të vetëm pra ka pasur dy oficerë të policisë kufitare, një shqiptar dhe një maqedonas të vendosur në të njëjtën kabinë, secili duke kryer kontrollin e tij mbi bazën e juridiksionit përkatës. Kjo në fakt është aplikimi i “One Stop – Two Shop”, kur udhëtari ndalon një herë, por procedohet dy herë nën të njëjtën çati. Ky ishte një lehtësim logjistik por jo unifikim procedural.
Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 vetëm në pikën kufitare Qafë Thanë.
“Sistemi “One Stop” në prill 2025 u zbatua me Kosovën në kalimin kufitar Bllacë – Hani i Elezit, pastaj edhe me Serbinë.