Pas vonesave dhe mungesës së specializantëve, MSH-ja hap konkurset për shkollim specialistik

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur dy konkurse për shkollim specialistik në Kosovë, pas një periudhe pritjeje dhe vonesash.

Konkursi i parë me 313 vende është publikuar më 30 tetor 2026, ndërsa i dyti me 40 vende u publikua më 17 nëntor 2026.

Hapja e konkurseve vjen pas paralajmërimeve të Ministrisë së Shëndetësisë se do të krijoheshin mundësi të reja për specializimin e mjekëve, veçanërisht në lëmitë ku institucionet shëndetësore përballen me mungesë të kuadrove.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia më 30 tetor kishte njoftuar se kishte nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për 313 vende, duke e cilësuar atë si konkursin e katërt për specializime brenda më pak se katër vjetësh.

Megjithatë, hapjes së konkursit i kishte paraprirë një periudhë pritjeje, gjatë së cilës Ministria e Shëndetësisë kishte dhënë sqarime lidhur me përgatitjet dhe vonesat në zhvillimin e procesit.

Në raportimet e mëparshme, Klinika e Onkologjisë kishte kërkuar vazhdimisht nga Ministria e Shëndetësisë shtimin e vendeve për specializim në Onkologji Radiologjike, duke argumentuar se zgjerimi i shërbimeve dhe përdorimi i teknologjive të reja kërkonin personel shtesë.

Sipas dokumenteve që kishte siguruar Telegrafi, në një kërkesë të nëntorit 2025, klinika kishte theksuar se në konkursin e vitit 2024 ishin miratuar vetëm dy vende për këtë lëmi, megjithëse ishin kërkuar shtatë.

Lidhur me këto shqetësime, Komiteti për Shkollim Specialistik në kuadër të MSH-së kishte konfirmuar për Telegrafin se konkursi i ri ishte në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe pritej të publikohej brenda dy muajve.

"BShS është në proces të përgatitjes së konkursit", kishte deklaruar Komiteti për Shkollim Specialistik, duke shtuar se "konkursi është në fazën e përgatitjeve, ndërsa pritjet janë që ai të dalë brenda dy muajsh".

Tashmë, , përmes konkursit të publikuar më 30 tetor,  MSH-ja ka paraparë vende për specializim në disa fusha mjekësore, përfshirë Psikiatrinë, Kirurgjinë Plastike, Mjekësinë Nukleare, Nefrologjinë, Onkologjinë Mjekësore, Onkologjinë Radiologjike dhe Mjekësinë Emergjente.

Në veçanti, konkursi parasheh dy vende për Onkologji Radiologjike dhe dy për Onkologji Mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Hapja e këtyre vendeve përkon me kërkesat e mëparshme të Klinikës së Onkologjisë për shtimin e kuadrove, megjithëse mbetet të shihet nëse numri i paraparë do të jetë i mjaftueshëm për t'iu përgjigjur nevojave të këtij institucioni.

Konkursi i dytë përfshin pesë komuna dhe shëndetësinë në burgje

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar më 17 nëntor edhe konkursin e dytë për shkollim specialistik, përmes të cilit janë paraparë gjithsej 40 vende.

Ky konkurs, vendimi për të cilin është nënshkruar më 16 nëntor, përfshin komunat Klinë, Kaçanik, Skenderaj, Prizren dhe Shtërpcë, si dhe Departamentin e Shëndetësisë në Burgje.

Nga 40 vendet e parapara, 37 janë për institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, ndërsa tri për Departamentin e Shëndetësisë në Burgje.

Pjesa më e madhe e vendeve është ndarë për Mjekësi Familjare, përkatësisht 30 vende. Prej tyre, 15 janë për Prizrenin, shtatë për Klinën, pesë për Skenderajn, dy për Kaçanikun dhe një për Shtërpcën.

Po ashtu, konkursi parasheh dy vende për Radiologji, dy për Gjinekologji me Obstetrikë, një për Pediatri dhe dy për Pedodonci me Stomatologji Preventive.

Ndërkaq, për Departamentin e Shëndetësisë në Burgje janë hapur nga një vend për Psikiatri, Otorinolaringologji (ORL) dhe Psikologji Klinike.

Aplikimi elektronik dhe kriteret e përzgjedhjes

Sipas vendimeve të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, aplikimi për shkollim specialistik zhvillohet në mënyrë elektronike, përmes platformës zyrtare specializimet.rks-gov.net.

Afati i aplikimit është 15 ditë nga data e publikimit të konkursit përkatës në faqen zyrtare të ministrisë.

Duke marrë parasysh datat e publikimit, afati i aplikimit për konkursin e parë, të shpallur më 30 tetor, tashmë ka përfunduar, ndërsa për konkursin e dytë të publikuar më 17 nëntor, afati ende është në vijim.

U premtua brenda dy muajsh, konkursi për specializime ende pa datë - MSH-ja tregon arsyet e vonesës

Sipas dokumenteve zyrtare, kandidatët kanë të drejtë të përzgjedhin vetëm një lëmi specialistike dhe një kategori, në përputhje me profilin e tyre profesional.

Vlerësimi i kandidatëve bëhet përmes sistemit të pikëve, ku nota mesatare gjatë studimeve vlerësohet me deri në 50 pikë, koha e pritjes pas diplomimit deri në 15 pikë, përvoja e punës deri në 15 pikë, ndërsa kohëzgjatja e studimeve me deri në 10 pikë.

Pikë shtesë parashihen edhe për publikimet shkencore, pjesëmarrjen në aktivitete shkencore dhe kualifikimet e tjera akademike, sipas kritereve të përcaktuara në konkurse.

Në dokumentet e publikuara nga MSH-ja janë përcaktuar gjithashtu kushtet e pjesëmarrjes, dokumentacioni i nevojshëm dhe rregullat për vlerësimin e kandidatëve.

Nga premtimi për specializime të reja te hapja e konkurseve

Në njoftimin e tij të 30 tetorit, ministri Arben Vitia kishte deklaruar se përparësi u ishte dhënë lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale.

"Prioritet u kemi dhënë lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale", kishte shkruar Vitia.

Ai kishte njoftuar gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë do të financonte për herë të parë edhe 20 vend/telegrafie për Mjekësi Familjare.

"Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare", kishte deklaruar ministri. /telegrafi