Flick: Nuk më intereson çfarë bën Reali, duam ta ruajmë epërsinë prej tri pikësh

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për periudhën e ngarkuar që e pret skuadrën katalanase, duke theksuar se pavarësisht presionit dhe kalendarit të vështirë, kjo është pjesë e privilegjit për të qenë pjesë e një klubi si Barcelona.

Skuadra e tij do të përballet me nëntë ndeshje deri në Krishtlindje, ndërsa në mes të këtij programi e pret edhe një udhëtim shumë i gjatë.

Flick e pranon se ngarkesa është e madhe, por thekson se Barcelona është në gjendje të mirë.

"Është presion, natyrisht, por edhe privilegj. Luajmë në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve dhe luftojmë për tituj. Jemi në formë të mirë dhe duhet të kujdesemi për lojtarët. Kemi nëntë ndeshje dhe duhet t'i menaxhojmë minutat", deklaroi gjermani.

I pyetur për rivalitetin me Real Madridin, Flick ishte i qartë: "Nuk më intereson çfarë bën Reali, sepse kemi tri pikë më shumë se ata dhe duam ta ruajmë këtë epërsi".

Ai gjithashtu pranoi se Barcelona nuk kishte bërë paraqitjet më të mira para pushimit ndërkombëtar, duke kujtuar dy humbjet brenda një jave.

Megjithatë, trajneri theksoi se përgjegjësia e tij është të përgatisë skuadrën për të fituar dhe për të kënaqur tifozët. /Zëri