Tjetër sulm kibernetik në SHBA: Goditet Departamenti i Bujqësisë, hakerat hyjnë në sistemin e pagesave ndaj fermerëve

Një sulm kibernetik ka goditur Departamentin e Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara ,ku hakerët kanë arritur të depërtojnë në sistemin elektronik që përdoret për kryerjen e pagesave ndaj fermerëve amerikanë.

Sulmi është kryer gjatë ditëve të fundit dhe ka ngritur shqetësime për mundësinë që autorët të kenë akses edhe në të dhëna të tjera sensitive të institucionit, përfshirë informacionet që lidhen me sigurinë ushqimore dhe kërkimet shkencore për sëmundjet që transmetohen nga kafshët.

Sipas NBC News (En- Bi- si) , i cili citon dy ish-zyrtarë të Departamentit të Bujqësisë, të informuar për çështjen, institucioni njoftoi punonjësit për incidentin të enjten, më 19 nëntor. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi identitetin e autorëve apo shkallën e komprometimit të sistemeve.

Ndërhyrja është identifikuar në sistemin që menaxhon të dhënat dhe pagesat për fermerët, por ekspertët kanë paralajmëruar se ky sistem mund të shërbejë si pikë hyrjeje për në databaza të tjera të ministrisë, të cilat përmbajnë informacione më të ndjeshme.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka konfirmim se hakerët kanë arritur të marrin të dhëna nga këto sisteme të tjera. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse gjatë sulmit janë vjedhur informacione apo nëse është shkaktuar ndonjë ndërprerje në procesin e pagesave për fermerët. Identiteti i autorëve të sulmit nuk është bërë i ditur dhe nuk ka të dhëna që ta lidhin incidentin me ndonjë grup të caktuar hakerësh.

Agjencia amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën  nuk ka komentuar mbi sulmin kibernetik pavaresisht kerkesave per nje deklarate nga mediat Amerikane. /abcnews