Pse është mirë ta ndizni kondicionerin e veturës edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit?

Kondicionerin në veturë zakonisht e lidhim me muajt e verës, pasi pa të do ta kishim shumë të vështirë t'i përballonim temperaturat gjithnjë e më të larta dhe valët e zgjatura të të nxehtit. Megjithatë, ai ka një funksion të rëndësishëm edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Përdorimi i kondicionerit ndihmon në largimin e mjegullës nga xhamat e veturës, gjë që është e rëndësishme për sigurinë në trafik.

Gjithashtu, një nga funksionet kryesore të tij është zvogëlimi i lagështisë brenda kabinës së veturës, duke parandaluar kështu zhvillimin e mykut dhe baktereve në këtë hapësirë.

Ndezja e kondicionerit gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit është e rëndësishme edhe për mirëmbajtjen e vetë pajisjes. Qarkullimi i gazit dhe vajit ndihmon në lubrifikimin e pjesëve përbërëse të sistemit të kondicionimit.

Në këtë mënyrë parandalohet tharja e guarnicioneve dhe pjesëve të gomës, si dhe çarja e tyre, ndërsa njëkohësisht lubrifikohen edhe pjesët lëvizëse të kondicionerit.

Prandaj, rekomandohet që herë pas here, kur të hyni në veturë, ta ndizni kondicionerin për disa minuta.

Kujdes: Mos e ndizni kur temperaturat bien nën pesë gradë Celsius

Te shumica e veturave të reja, aktivizimi i kondicionerit bllokohet automatikisht në temperatura të ulëta, pasi ekziston rreziku i zgjerimit dhe ngrirjes së ujit në sistem.

Vetura e re zakonisht ka sensorë të temperaturës, të cilët nuk lejojnë funksionimin e kondicionerit në temperatura të ulëta. Në veturat më të vjetra, shoferi duhet ta ketë vetë parasysh këtë kufizim.

Pra, përderisa temperatura e jashtme është mbi pesë gradë Celsius, mund ta përdorni kondicionerin në veturë. Mjaftojnë vetëm disa minuta për të ndihmuar në ruajtjen e shëndetit tuaj dhe të vetë pajisjes.