FFK-ja njofton klubet për datën e hedhjes së shortit për Kupën e Kosovë
Tërheqja e shortit për fazën e 1/16-tës së Kupës së Kosovës do të bëhet të premten, më 27 nëntor, në orën 14:00, në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), përmes Komisionit të Garave, ka njoftuar klubet dhe opinionin për datën e hedhjes së shortit për fazën e 1/16-tës së finales së Kupës së Kosovës.
Sipas njoftimit të FFK-së, shorti do të tërhiqet të premten, më 27 nëntor, duke filluar nga ora 14:00, në selinë e federatës.
Në këtë fazë të garës do të përfshihen skuadrat e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë, ndërsa fituesit e çifteve do të sigurojnë kualifikimin në fazën e 1/8-tës së finales.
Me hedhjen e shortit do të mësohen përballjet e radhës në garën për trofeun e Kupës së Kosovës.
Fituesi i edicionit të fundit të Kupës së Kosovës ishte Dukagjini, i cili mposhti Ferizajn në finale. /telegrafi