Shkencëtarët zbulojnë një sinjal të fshehur të zemrës që mund të parashikojë vdekjen e papritur kardiake

Zemra e njeriut rreh rreth 100 mijë herë në ditë. Ky ritëm i pandërprerë është ai që na mban gjallë dhe mundëson funksionimin e trupit tonë.

Por, çfarë ndodh kur zemra ndalon së rrahuri?

Çdo vit, mbi 350 mijë persona në Shtetet e Bashkuara përjetojnë arrest kardiak të papritur. Shumica prej tyre nuk arrijnë të mbijetojnë deri në mbërritjen në spital.

Vdekjet e tilla njihen si vdekje e papritur kardiake dhe përgjithësisht përkufizohen si vdekje e papritur dhe e paparashikuar, që ndodh brenda një ore për shkak të problemeve me zemrën.

Sipas vlerësimeve, vdekja e papritur kardiake u merr jetën deri në 300 mijë amerikanëve çdo vit dhe besohet se është përgjegjëse për deri në 15 për qind të të gjitha vdekjeve në mbarë botën, raporton sciencealert, raporton sinjali.

Megjithatë, një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature tregon se ekziston një mënyrë për të parashikuar rrezikun dhe potencialisht për të parandaluar shumë prej këtyre vdekjeve.

Defibrilatorët e implantueshëm janë pajisje që mund të zbulojnë dhe korrigjojnë çrregullimet e rrezikshme të ritmit të zemrës, përpara se ato të shkaktojnë pasoja fatale. Problemi është se mjekët e kanë të vështirë të përcaktojnë se cilët pacientë kanë nevojë për këto pajisje.

“Ne e kemi zgjidhjen për këtë problem”, thotë Ziad Obermeyer, mjek dhe studiues i inteligjencës artificiale në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

“Nëse do ta dinit se jeni njëri nga personat që rrezikojnë të vdesin papritur, do të shkonit te kardiologu dhe do të vendosnit një defibrilator. Problemi është se mjekët nuk arrijnë të përcaktojnë se kush ka nevojë për të, para se të jetë tepër vonë”, shpjegon ai.

Në studimin e tyre, Obermeyer dhe kolegët e tij trajnuan një model të inteligjencës artificiale, të bazuar në mësimin e thellë, për të identifikuar modelet elektrike të zemrës që lidhen me rrezikun e vdekjes së papritur kardiake.

Për këtë qëllim, ata përdorën më shumë se 440 mijë regjistrime të elektrokardiogramës (EKG) nga Suedia. Sistemi i inteligjencës artificiale u testua gjithashtu me të dhënat e EKG-së së afro 140 mijë pacientëve në Shtetet e Bashkuara, si dhe me një grup më të vogël pacientësh në Tajvan.

EKG-ja është një metodë relativisht e lirë dhe jo invazive, që regjistron aktivitetin elektrik të zemrës përmes elektrodave të vendosura në lëkurën e pacientit.

“Zbatimi i mësimit të thellë në EKG mund të ofrojë përfitimet e të dyja qasjeve: një regjistrim të standardizuar, lehtësisht të qasshëm dhe me kosto të ulët, i cili mund të analizohet drejtpërdrejt nga një sistem inteligjence artificiale për të parashikuar rrezikun, pa pasur nevojë për ndërhyrje njerëzore”, shkruajnë studiuesit në punimin e tyre.

Rezultatet e studimit treguan se kjo qasje ka potencial të konsiderueshëm.

Pas analizimit të një numri të madh të të dhënave, sistemi i inteligjencës artificiale identifikoi një grup pacientësh me rrezik të lartë, i cili përbënte 2.2 për qind të mostrës suedeze.

Brenda një viti, shtatë për qind e personave të këtij grupi pësuan vdekje të papritur kardiake.

Në krahasim, metoda tradicionale e matjes së fraksionit të ejeksionit të ventrikulit të majtë (LVEF) identifikoi një grup më të vogël pacientësh me rrezik të lartë, që përbënte 1.9 për qind të mostrës. Nga ky grup, 4.6 për qind pësuan vdekje të papritur kardiake brenda një viti.

Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e pacientëve të identifikuar nga të dyja metodat përputheshin. Sipas studiuesve, metoda tradicionale LVEF nuk arriti të identifikonte 86.1 për qind të pacientëve me rrezik të lartë që u zbuluan nga inteligjenca artificiale.

Këto rezultate mund të kenë rëndësi të madhe për parandalimin e vdekjeve. Te pacientët me rrezik të lartë të identifikuar nga inteligjenca artificiale, ata që kishin të implantuar defibrilatorë shfaqën një normë të vdekjes së papritur kardiake 54.4 për qind më të ulët sesa ajo që pritej statistikisht.

Kjo sugjeron se pajisjet mund të ndihmojnë në parandalimin e disa vdekjeve. Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet janë vëzhguese dhe nuk dëshmojnë se defibrilatorët ishin drejtpërdrejt shkaku i uljes së rrezikut.

Pavarësisht kësaj, gjetjet mund të hapin rrugë për hulumtime të mëtejshme.

“Në praktikë, pacientët me rrezik të lartë duket se përbëjnë një grup të ri, të paidentifikuar më parë, te të cilët vdekjet janë të shpeshta dhe potencialisht të parandalueshme”, shkruajnë autorët e studimit.

Por, studiuesit zbuluan edhe diçka tjetër.

Kur përdorën një model të dytë të inteligjencës artificiale për të paraqitur vizualisht modelet elektrike që lidhen me rrezikun e lartë, ata identifikuan një veçori të valës, e cila nuk ishte përshkruar më parë dhe që mund të parashikojë në mënyrë të pavarur rrezikun e vdekjes së papritur kardiake.

Sipas shkencëtarëve, kjo veçori, e quajtur “zbritje e pjerrët dhe e zbutur” (slurred downstroke), shfaqet në regjistrimet e valëve elektrike të pacientëve me rrezik të lartë. Ajo mund të jetë shenjë e problemeve të afërta me zemrën dhe mund të lidhet me fibrozën, pra krijimin e indit mbresor në muskulin e zemrës, i cili mund të pengojë përcjelljen normale të impulseve elektrike.

Changxin Lai, inxhinier biomjekësor në Universitetin Johns Hopkins, i cili nuk ishte pjesë e studimit, por shkroi një koment lidhur me të, vlerësoi rëndësinë e këtij zbulimi.

“Fakti që një qasje e bazuar në mësimin automatik mund të zbulojë një model të panjohur më parë në të dhëna kaq të njohura, dëshmon se mësimi i thellë, kur kombinohet me mjete të tjera të përshtatshme, mund të shkojë përtej parashikimit dhe të kontribuojë edhe në zbulime shkencore”, shkroi ai.

“EKG-të janë interpretuar nga mjekët për më shumë se një shekull, por ky studim dëshmon se edhe të dhënat më të studiuara mund të përmbajnë mesazhe që ende nuk janë zbuluar”.