175 zyrtarë NJRSH-së certifikohen për “Ballafqim me Turma”

175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH), janë certifikuar për “Ballafqim me Turma”.

Trajnimi siç ka njoftuar Policia e Kosovës është realizuar nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (NJSO), në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit, në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Trajnimi është organizuar në 5 grupe.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të stafit udhëheqës të Departamentit dhe Divizionit të Njësive Speciale, instruktorët e NJSO-së, si dhe përfaqësues të stafit mbikëqyrës të Drejtorisë Rajonale të Policisë – Mitrovica Jug.

“Realizimi i këtij programi përbën një nga aktivitetet e planifikuara për zhvillimin profesional të NJRSH-së, me fokus në standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave policore. Përmes këtij programi, Policia e Kosovës vazhdon angazhimin për zhvillimin e burimeve njerëzore dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e operative të njësive policore, një rezultat konkret në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe gatishmërisë profesionale të Policisë së Kosovës”, thuhet nga policia.