Kosova prodhon robotin e parë tokësor pa ekuipazh, STRIDAR ia dhuron atë FSK-së [video]
Në një zhvillim të rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe avancimin e industrisë vendore, Kosovës i shtohet një teknologji e re robotike. Për herë të parë, një robot tokësor pa ekuipazh (UGV), i prodhuar në Kosovë nga kompania kosovaro-amerikane STRIDAR, i është dhuruar Ministrisë së Mbrojtjes për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci përmes një postim në rrjetin social Facebook.
Maqedonci bën të ditur se ky është UGV-ja e parë e prodhuar në Kosovë dhe një hap i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Postimi i plotë:
Sot, për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes iu dhurua roboti tokësor pa ekuipazh (UGV), me numër serik SR-4-001-KS, i prodhuar nga kompania kosovare - amerikane STRIDAR. Ky është UGV-ja e parë e prodhuar në Kosovë dhe një hap i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
UGV-të janë mjete robotike pa operator. Ato mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome. Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, mund të përdoren për vëzhgim, transport pajisjesh dhe mbështetje në zona me rrezik; mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca.
Zhvillimi i sistemeve të tilla dëshmon potencialin e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat mund t’u shërbejnë nevojave të mbrojtjes dhe atyre civile. Marrëveshjen e donacionit e nënshkrova së bashku me përfaqësuesin e kompanisë STRIDAR, z. Nils Alstad.
E falënderoj STRIDAR-in për këtë kontribut dhe për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore.