Gjakderdhja e madhe menstruale rrit rrezikun për anemi
Gjakderdhja e tepërt gjatë menstruacioneve nuk është thjesht një shqetësim i zakonshëm. Kjo gjendje mund të ndikojë në shëndetin, jetën e përditshme dhe mirëqenien e grave, por shpesh kalon pa u diagnostikuar dhe trajtuar.
Që në moshën 12 vjeçare, Michelle Alston përjetonte dhimbje të forta dhe gjakderdhje aq të madhe gjatë menstruacioneve, saqë shpesh duhej të pushonte në dhomën e infermieres së shkollës. Ajo ishte rritur me bindjen se kjo ishte normale dhe se duhej të mësonte të jetonte me të. Vetëm në të 40-at kuptoi se gjakderdhja e saj konsiderohej problem që kërkonte vlerësim dhe trajtim.
Sipas studimeve, rreth 10 deri në 30 për qind e grave në moshë riprodhuese përjetojnë gjakderdhje të tepërt gjatë menstruacioneve. Megjithatë, kjo shifër mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë gra nuk e raportojnë këtë problem ose e konsiderojnë pjesë normale të ciklit menstrual.
Kur gjakderdhja gjatë menstruacioneve është e tepërt?
Për studiuesit, gjakderdhja konsiderohet e tepërt kur humbja e gjakut kalon 80 mililitra gjatë një cikli menstrual, kur shfaqen mpiksje të mëdha gjaku ose kur menstruacionet zgjasin më shumë se shtatë ditë.
Megjithatë, në jetën e përditshme nuk është gjithmonë e lehtë të matet sasia e gjakut. Ndërrimi shumë i shpeshtë i pecetave higjienike ose tamponëve, njollosja e rrobave dhe zgjimi gjatë natës për shkak të gjakderdhjes mund të jenë shenja paralajmëruese.
Sipas mjekëve, një tregues i rëndësishëm është edhe ndikimi që gjakderdhja ka në jetën e përditshme. Nëse kjo gjendje sjell pengesa gjatë punës, shkollimit, aktivitetet ose mirëqenien, duhet të vlerësohet nga mjeku.
Gjakderdhja e tepërt mund të fshehë probleme të tjera shëndetësore
Gjakderdhja e tepërt menstruale mund të lidhet me disa gjendje shëndetësore, përfshirë miomat e mitrës, polipet, endometriozën, çrregullimet e koagulimit të gjakut dhe problemet me ovulimin. Në disa raste, mund të jetë edhe shenjë e kancerit.
Ajo mund të shfaqet edhe në vitet e para pas fillimit të menstruacioneve dhe gjatë periudhës para menopauzës, kur ndryshojnë nivelet e hormoneve.
Një nga pasojat më të rëndësishme është mungesa e hekurit. Ky mineral i nevojitet trupit për të prodhuar hemoglobinën, përbërësin e rruazave të kuqe të gjakut që transporton oksigjenin në të gjithë organizmin.
Kur humbja e gjakut vazhdon, rezervat e hekurit mund të pakësohen. Kjo mund të shkaktojë lodhje, marramendje, vështirësi në frymëmarrje, rënie të flokëve dhe vështirësi në përqendrim.
Nëse mungesa e hekurit nuk trajtohet, mund të zhvillohet anemia, gjendje në të cilën trupi nuk ka mjaftueshëm hemoglobinë për të furnizuar indet me oksigjen.
Ka trajtime, por jo gjithmonë zgjidhet shkaku
Trajtimi varet nga arsyeja që shkakton gjakderdhjen. Në rastet më të lehta, barnat kundër dhimbjeve dhe inflamacionit, si ibuprofeni, mund të ndihmojnë në zvogëlimin e gjakderdhjes.
Mund të përdoren edhe trajtime hormonale, si pilulat kontraceptive ose pajisjet hormonale që vendosen në mitër. Një tjetër mundësi është acidi traneksamik, i cili ndihmon në zvogëlimin e humbjes së gjakut.
Megjithatë, këto trajtime nuk janë të përshtatshme për të gjitha gratë dhe disa mund të shkaktojnë efekte anësore. Për më tepër, jo gjithmonë e trajtojnë shkakun e problemit.
Në raste të caktuara, kur gjakderdhja shkaktohet nga miomat ose probleme të tjera të mitrës, mund të nevojiten ndërhyrje kirurgjikale. Një prej tyre është heqja e mitrës, por kjo është ndërhyrje e madhe dhe e përhershme, pas së cilës shtatzënia nuk është më e mundur.
Për këtë arsye, zgjedhja e trajtimit duhet të bëhet duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore, nevojat dhe planet e pacientes.
Studiuesit po punojnë edhe për mënyra të reja të diagnostikimit dhe trajtimit. Një program ndërkombëtar kërkimor synon të shkurtojë kohën e diagnostikimit të gjakderdhjes së tepërt nga periudha kohore pesë vjeçare në pesë muaj.
Shkencëtarët po studiojnë mundësinë e zbulimit të shenjave të kësaj gjendjeje përmes gjakut menstrual, si dhe zhvillimin e pajisjeve që mund të ndihmojnë në matjen e sasisë së gjakderdhjes.
Mesazhi i studiuesve është i qartë: gjakderdhja e tepërt gjatë menstruacioneve nuk duhet të pranohet si diçka me të cilën gratë thjesht duhet të mësohen. Ajo meriton vëmendje mjekësore, diagnostikim në kohë dhe trajtim të përshtatshëm. /Gazeta Shneta