Zyrtarët komunalë - Veç pas rastit të Arlindës, shkruan raport
Mekanizmi koordinues lokal për mbrojtjen nga dhuna në familje, ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore në Pejë ishte takuar më 22 tetor, tri ditë para se Arlinda Zekaj të vritej nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Megjithatë, takimi ku ishte diskutuar edhe rasti i Arlindës nuk ishte përcjellë me raport zyrtar. Procesverbali i brendshëm, sipas deklarimit të udhëheqëses së këtij mekanizmi, Samka Draniqolli, ishte përpiluar vetëm pas vrasjes së saj.
Gjatë raportimit para Komisionit Hetimor, Draniqolli pranoi se procesverbalin e kishte hartuar duke u bazuar në mbamendje.E pyetur se si kishte arritur t'i dokumentonte diskutimet pas vrasjes së Arlindës, ajo u përgjigj se ishte mbështetur në atë që mbante mend nga takimi.
Para komisionit dëshmoi edhe drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë, Albulena Mujaj-Bajraktari. Ajo deklaroi se rasti i Arlindës nuk ishte vlerësuar me shkallë të lartë rrezikshmërie nga Qendra për Punë Sociale.
Sipas saj, Arlinda kishte vlerësuar se trajtimi i rastit të saj ishte i njëanshëm dhe kishte kërkuar që në proces të ishte e pranishme edhe Ambasada Amerikane.
Mujaj-Bajraktari tha se shqetësimi kryesor i Arlindës lidhej me djalin e saj 12-vjeçar dhe jo me kërkesën për strehim.
Ajo bëri të ditur se Arlinda nuk kishte kërkuar strehim, pasi kishte qëndruar te shtëpia e vëllezërve të saj. Sipas saj, kërkesa e saj kishte qenë që fëmija të dërgohej në Radac, aty ku ndodhej ajo.Për veprimet e institucioneve në këtë rast u pyet edhe drejtori i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare në Ministri, Blerim Shabani.
Ai deklaroi se zyrtarët e departamentit kishin kërkuar, përmes komunikimeve zyrtare, ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e interesit të fëmijës, në përputhje me mandatin ligjor të Qendrës për Punë Sociale.
Intervistimi i Shabanit vazhdoi me dyer të mbyllura, me arsyetimin se diskutimi publik mund të cenonte privatësinë e djalit 12-vjeçar të së ndjerës.
Ndërkaq, në javët në vijim, para Komisionit Hetimor pritet të dëshmojnë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe të zinxhirit komandues, për të dhënë sqarime lidhur me veprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt./klankosova