Fruthi në Kosovë, një foshnjë në gjendje të rëndë, apelohet për vaksinim

Rastet e fruthit vazhdojnë të regjistrohen në vendin tonë, ndërsa më të rrezikuarit në këtë situatë po paraqiten foshnjat nën 12 muaj, të cilat ende nuk e kanë arritur moshën për vaksinim.

Kështu kanë bërë të ditur nga Klinika e Pediatrisë, ku kanë konfirmuar se një foshnjë tremuajshe është në gjendje të rëndë si pasojë e komplikimeve nga fruthi.

“Deri më tani, në kujdesin intensiv, kemi pasur 14 fëmijë. Prej tyre, 3 fëmijë është dashur të jenë në ventilim mekanik për shkak të gjendjes së rëndë. Këtë javë kemi një fëmijë në gjendje të rëndë, 3 muajsh, i cili është komplikuar me një pneumoni të rëndë, i cili vazhdon të jetë në ventilim mekanik", ka thënë për RTK, Petrit Gjaka, pediatër intensiv.

Ndërkohë, në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar mbi 40 pacientë me fruth.

 “Aktualisht kemi mjaft pacientë të hospitalizuar, një shifër e cila është shqetësuese dhe njëkohësisht edhe më shqetësuese është shkalla e mosvaksinimit të këtyre fëmijëve, marrë parasysh që deri tani vetëm fëmijët e pavaksinuar kanë manifestuar simptoma", ka thënë Marigona Geci, infektologe.

Për rritjen e rasteve me fruth kanë njoftuar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga ku kanë bërë thirrje që fëmijët e pavaksinuar të marrin vaksinën sa më parë.

 “Në 2 javët e fundit kemi pasur rritje të paraqitjes së rasteve me fruth, ndërsa këtë javë kemi edhe më shumë se 2 javët e kaluara. Kështu që kjo situatë është pak shqetësuese edhe kërkon intervenim nga të gjitha aspektet. Përderisa ne po mundohemi edhe nga ana e institutit, edhe me institucionet shëndetësore, me kry punën sa i përket pacientëve. Këndej ekipet e vaksinimit po punojnë shumë për vaksinim edhe për vaksinimin me vonesë të atyre që nuk e kanë kryer”, ka thënë Ardita Baraku, drejtoreshë e IKSHPK-së.

Në këtë situatë, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Nga IKSHPK-ja kanë kërkuar bashkëpunim nga prindërit dhe institucionet arsimore, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e sëmundjes dhe të mbrohen veçanërisht foshnjat, të cilat janë më të rrezikuara.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë periudhës 16 prill-15 nëntor, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 336 raste me fruth.