KFOR-i, EULEX-i, Policia dhe FSK-ja stërviten me “Shpatën e Artë”
Misioni i KFOR-it, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar ushtrimin e përbashkët "Shpata e Artë" (Golden Sabre) në poligonin stërvitor të Kampit Vrelo, me pjesëmarrjen edhe të personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimi kishte për qëllim rritjen e gatishmërisë dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë për reagim ndaj krizave dhe situatave emergjente në Kosovë.
Gjatë stërvitjeve u zhvilluan skenarë të ndryshëm, përfshirë menaxhimin e turmave dhe trazirave, evakuimin e shpejtë mjekësor, si dhe identifikimin dhe trajtimin e mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.
Në këto aktivitete, pjesëtarët e KFOR-it dhe FSK-së ushtruan edhe procedurat për trajtimin e rreziqeve kimike dhe mjedisore në një ambient të simuluar si të kontaminuar.
Komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe profesionalizmit në garantimin e sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
“Ky është thelbi i misionit tonë. Bëhet fjalë për njerëzit, për sigurinë e tyre dhe tonën. Kjo është ajo që ne jemi këtu për të ofruar: me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim”, deklaroi Vergori.
KFOR-i ka bërë të ditur se ushtrimet e përbashkëta do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synimin e forcimit të koordinimit ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, si dhe mbështetjes së një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.