Kosova rrezikon t’i humbë Lojërat Mesdhetare, kjo është përgjigjja e Komitetit Ndërkombëtar

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse Kosova ende mund ta ruajë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, pavarësisht shqetësimeve të ngritura për përgatitjet dhe përmbushjen e obligimeve nga institucionet vendore.

KosovaPress-i i është drejtuar ICMG-së, duke kërkuar sqarime për situatën aktuale dhe duke pyetur nëse ekziston ende mundësia që Kosova t’i përmbushë kërkesat e nevojshme dhe ta organizojë me sukses këtë ngjarje sportive, apo nëse procesi ka arritur në një pikë ku tashmë është tepër vonë për të realizuar zotimet e marra.

Në përgjigjen e dërguar të enjten në mbrëmje, Sekretariati i ICMG-së ka orientuar që për informata të mëtejshme t’i drejtohet Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG).

“Ju lutemi, drejtojuni OCMG-së Prishtina 2030 për informata të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të ICMG-së për KosovaPress-in.

Kjo përgjigje vjen në një kohë kur e ardhmja e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë është vënë në pikëpyetje, ndërsa për këtë çështje tashmë ka nisur edhe një përplasje e hapur ndërmjet institucioneve të vendit.

Vetëm një ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, deklaroi se mungesa e unitetit të brendshëm po e rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Ai tha se bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë shumë i mirë, por kritikoi raportet me Komunën e Prishtinës.

“Vazhdoj të jem optimist, por optimist i përmbajtur, sepse kush bën mirë nuk e ka të lehtë të shtyhet me dikë që bën të kundërtën. Në këtë aspekt, bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës, prandaj jemi në këtë situatë. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht pa korrupsion”, deklaroi Kurti.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, iu kundërpërgjigj Kurtit përmes një postimi në Facebook, duke ia atribuuar Qeverisë përgjegjësinë për tri çështje që, sipas tij, kanë çuar në anulimin e takimit të paraparë me përfaqësuesit e ICMG-së në Athinë.

“Kryeministër, paske provu me ia bartë Prishtinës fajin për dështimin e Lojërave Mesdhetare. Në komunikimin e fundit, “Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare” thotë se takimi është anulu për këto arsye:

Pagesa s’është kry.

Emrat e delegacionit s’janë dërgu.

Nuk jeni përgjigjë në e-maila.

Kush ka pasë me i bo këto?

Qeveria.

Qeveria.

Qeveria.

Qikaq e thjeshtë është!”, ka shkruar Rama.

Përplasja ndërmjet Kurtit dhe Ramës vjen pas një varg paralajmërimesh për gjendjen e përgatitjeve, përfshirë shqetësimet e mëhershme të ICMG-së për obligimet financiare dhe administrative të papërmbushura nga pala kosovare.

Në letrën e 15 tetorit, ICMG-ja kishte paralajmëruar për rreziqet serioze që po i kanoseshin përgatitjes dhe organizimit të Lojërave, duke përmendur, ndër të tjera, mungesën e garancisë bankare ose të sigurimit, pagesat e papërfunduara dhe mungesën e përgjigjeve ndaj komunikimeve të mëhershme.

Ndërkohë, më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së pritet ta shqyrtojë situatën dhe propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të trajtojë të ardhmen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Lojërat mesdhetare "Prishtina 2030" janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030. Kosova e fitoi të drejtën e organizimit në shtator të vitit 2023, ndërsa organizimi i tyre parasheh përfshirjen e disa komunave të Kosovës dhe Durrësit në Shqipëri.

Përgjigjja e ICMG-së për KosovaPress-in nuk sqaron nëse organizimi mund të shpëtohet, duke e lënë të hapur çështjen se cili do të jetë qëndrimi i Komitetit Organizativ dhe çfarë hapash do të ndërmerren në javët e ardhshme.