E zyrtarizon UEFA: Shqipërisë i ndalohet udhëtimi në Serbi, detaje të reja zbulohen për Evropianin U-21

Shqipëria do të organizojë Evropianin e 21-vjeçarëve bashkë me Serbinë. UEFA ka zyrtarizuar detaje të reja për të cilat do të raportojë “Panorama Sport” më poshtë.

Shqipëria e Alban Bushit nuk do të luajë asnjë ndeshje në Serbi. Në anën tjetër, serbët do të vijnë në Tiranë vetëm nëse do të jenë finalistë.

Finalja e madhe do të luhet në stadiumin “Air Albania” më 3 korrik. Vetëm në çerekfinale nuk do të ketë ndeshje në stadiumin tonë kombëtar, i cili do të shërbejë për Shqipërinë U-21 në dy ndeshjet e para në grup. Bëhet fjalë për datat 16 qershor kur nis kompeticioni, si edhe 19 qershor.

Shqipëria do e luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup, pikërisht në stadiumin “Elbasan Arena”. Një sfidë kjo e rezervuar më 22 qershor.

Krahas stadiumit “Air Albania” do të presin ndeshje edhe “Arena e Demave”, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”. Stadiumi i Partizanit do të shërbejë vetëm për tri ndeshje në grupe, ndërsa është edhe më i vogli në këtë kompeticion. “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, përveç tri ndeshjeve në grup, do të shërbejnë edhe për nga një ndeshje çerekfinale.

BILETAT - Për ndeshjet e grupeve është vendosur çmimi 14 euro në kategorinë e parë dhe 10 euro në kategorinë e dytë.

Në sfidat çerekfinale dhe gjysmëfinale do të jetë çmimi 18 euro për kategorinë e parë dhe 14 euro për kategorinë e dytë.

Sa i përket finales në “Air Albania”, bileta 24 euro është për kategorinë e parë dhe 18 euro për të dytën.