Hoti: Ndërprerja e energjisë në Kuvend tregon ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë “Kurti” për dështim në menaxhimin e situatës me energji elektrike.

Duke komentuar miratimin e masave nga Kuvendit, mbrëmë në orën e vona, kur edhe rryma u ndërpre, Hoti tha se kjo situatë tregon se “ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve”.

“Në vend të këtij vendimi për masa në energji, do të duhej të miratohej ndonjë kredi garantuese për KEK-un për ndërtim të termocentraleve të reja, apo miratim i ndonjë projekti me partneritet për termocentrale të reja. Dështimin e qeverisjes 6-vjeçare dhe varfërinë e mendimit politik të këtyre dështakëve e tregojnë kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmim deri në 10 vish më të lartë se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u.

Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh. Sikur të mos anulohej projekti i gazit, ai projekt mund të ishte në finalizim e sipër”.

Deputeti tha se problemet me energji do të vazhdojnë në vend dhe pasojat do t’i bartin të gjithë.

“Kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik e politik për Kosovën. Në mungesë të çfarëdo projekti për ndërtim të termocentraleve të reja, ne sot e dimë se edhe për së paku 5 vite do të kemi të njëjtat probleme me energji. Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta”.