Komisioni për vrasjen e Arlinda Zekajt, Kica-Xhelili kërkon të ftohen Kurti dhe Murati për intervistim

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, në mbledhjen e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, ka kërkuar që në këtë komision të ftohet edhe kryeministri i Kosovës, duke argumentuar se ai është përgjegjës për zbatimin e politikave të ministrive, njëjtë sikurse kryetarët e komunave për politikat e drejtorive komunale.

“Sa i përket kërkesave këtu kur kërkohej përgjegjësia në nivelin lokal, insistohej që niveli lokal, kryetari i komunës është përgjegjës për politikat e drejtorive. Dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit për qeverinë, e njëjta vlen në nivelin qendror. Kryeministri i Kosovës është përgjegjës për zbatimin e politikave të ministrive. E kemi bërë këtë kërkesë edhe më herët, por meqë sot duket që po thirremi në përgjegjësi ligjore të përgjegjësive të nivelit qendror, ju rikujtoj që përgjegjësitë e njëjta konsiderohen në nivel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjit për qeverinë, të cilat janë analoge të shqetësimeve që i ngritën disa nga anëtarët e komisionit sot në këtë takim. Nga kjo del që sipas mënyrës se si po trajtohen çështjet në këtë komision, duhet të ftohet edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, si përgjegjës i politikave të nivelit qendror të ministrive përkatëse”, tha Kica-Xhelili.

Përveç kryeministrit, deputetja e LDK-së ka propozuar që para Komisionit të dëshmojë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, në mënyrë që të sqarohet se si është vlerësuar nevoja për rritjen e kapaciteteve njerëzore në Qendrat për Punë Sociale (QPS) nëpër komuna.

Ajo ka thënë se në komision është përmendur disa herë pamundësia e komunave për të rialokuar buxhetin dhe për të shtuar kapacitetet njerëzore në këto qendra, prandaj, sipas saj, është e nevojshme të dëgjohet edhe qëndrimi i Ministrisë së Financave.

“Çështja e dytë, meqë disa herë kemi dëgjuar që për shkak të pamundësisë së rialokimit të buxhetit përbrenda komunave përkatëse, komunat nuk mund të ndërhyjnë në rritjen e kapaciteteve njerëzore të QPS-ve, si rezultat na del që duhet të diskutojmë edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të kuptojmë se si ka vlerësuar ministria në fjalë domosdoshmërinë e shtimit të kapaciteteve njerëzore për QPS-të në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Pra kjo na duhet më pas edhe për pjesën e dytë të raportit”, ka thënë ajo.

Gjatë diskutimit, Kica-Xhelili është ndalur edhe te mënyra e trajtimit të dëshmitarëve në komision, duke kërkuar që ekspertja e angazhuar ta sqarojë paraprakisht dhe në mënyrë të detajuar fushëveprimin dhe kompetencat ligjore të secilit person që ftohet për të dëshmuar.

Ajo ka mohuar se ndërhyrjet e saj në pyetjet e anëtarëve të komisionit kanë pasur për qëllim pengimin e diskutimit, duke thënë se synimi ka qenë që dëshmitarëve t’u parashtrohen vetëm pyetje që lidhen me kompetencat e tyre ligjore.

“Çështja e tretë ka të bëjë me atë që u keqkuptua si ndërhyrje e imja në pyetjet e anëtarëve të komisionit. Në fakt, edhe në mbledhjen e kaluar, kërkesa ime ka qenë që, në shërbim sa më efektiv, të drejtë dhe me integritet të personave që i kemi para vetes, ta dimë çfarë kompetenca ka personi që ne e kemi përballë, si mund të përfshihet në politikat që përfaqëson apo i ndërton, i drafton, në mënyrë që ta dimë deri ku mund të përfshihet personi që kemi para vetes. Prandaj kam kërkuar nga ekspertja dhe edhe një herë po mundem me e ridrejtuar kërkesën me më shumë detaje. Tani e tutje do të kemi dëshmitarë, të cilët i kanë kompetencat specifike me ligj. Të lutem shumë, tani e tutje për çdo dëshmitar që e kemi para vetes, me i njoftuar komisionin saktë çka ka të drejtë personi me bë, në nivelin e pozicionit për të cilin e kemi ftuar në komision. Me këtë nënkuptoj, nëse vjen personi A që është udhëheqës i një organizate, tregona çka ka të drejtë me bë. Në mënyrë që ne ta kuptojmë që ato që nuk janë taksativisht të numëruara nuk ka të drejtë me i bë”, shtoi.

Sipas saj, mungesa e një sqarimi të tillë mund të çojë në kërkesa ndaj zyrtarëve për të ndërhyrë në kompetencat e personave të tjerë, gjë që mund të nënkuptojë kërkimin e veprimeve të kundërligjshme.

“Sepse çka po ndodh është që ne po hyjmë në kompetencat e personave të tjerë, që nënkupton që çka po i kërkojmë zyrtarit do të ishte vepër penale. Ky ishte interferimi im. Që kërkesat që bëheshin për kompetenca nënkuptonin që zyrtari është dashur me kryer vepër penale, për me u përfshirë në çështje që janë kompetencë e zyrtarëve të tjerë. E keni parasysh”, ka theksuar Kica-Xhelili.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, është deklaruar lidhur me propozimin për ftesën e kryeministrit, duke thënë se arsyetimin për këtë çështje e kishte dhënë edhe më herët dhe nuk dëshironte ta përsëriste.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se nëse çështja konsiderohet prioritet dhe emergjencë, kryeministri do të duhej të shprehte vetë gatishmërinë për të marrë pjesë në komision.

“Për çështjen e kryeministrit i kam arsyetuar edhe më herët dhe nuk dua me vazhduar arsyetimin. Përveç që, në qoftë se ndjehen si çështje prioriteti, emergjence, do duhej edhe në mënyrë vullnetare ai të na kërkonte neve që të jetë këtu, e jo t’i bëjmë ne kërkesë atij”, ka deklaruar Rrahmani.

Në anën tjetër, Rrahmani ka mbështetur rëndësinë e thirrjes së ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e ndërlidhur këtë çështje me përvojën e tij si anëtar i Komisionit për Buxhet gjatë katër viteve.

Ai ka pretenduar se gjatë kësaj periudhe, në secilin proces buxhetor janë refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat e institucioneve për punësime shtesë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.

“Por te çështja e ministrit Murati duhet është shumë e rëndësishme, për shkak që unë kam qenë për katër vite anëtar i Komisionit për Buxhet. Dhe në secilin buxhet të secilit vit janë refuzuar prej ministrit thuajse të gjitha kërkesat e institucioneve, qoftë të nivelit lokal, qoftë të atij qendror, qoftë të pushteteve ekzekutive, gjyqësorit, legjislativit të secilit pushtet. Domethënë ka refuzime të punësimit të prokurorëve të rinj, ka refuzime të punësimit të gjyqtarëve, ka refuzime të punësimeve në secilin nivel dhe mbi të gjitha është edhe diskutim i përgjithshëm që ka të bëjë me ndërhyrje të kompetencave dhe rrjedhimisht në pamundësi edhe të angazhimit edhe të atyre vendeve të lira të cilat i kanë brenda komunave”, ka deklaruar Rrahmani. /eo