Ligji që e shpëtoi sportin kosovar: 24.4 milionë euro sponsorizime, futbolli përfituesi më i madh

Sporti kosovar vështirë se mund të paramendohet sot pa Ligjin për Sponsorizim.

Ky mekanizëm është shndërruar në një prej burimeve kryesore të financimit për klubet dhe federatat, duke u dhënë mundësi të mbijetojnë financiarisht, të jenë më konkurruese dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

Pa këtë ligj shumë klube do ta kishin shumë më të vështirë mbijetesën, ndërsa disa prej tyre do të rrezikonin seriozisht falimentimin.

Ligji, i miratuar në vitin 2017 dhe i bërë plotësisht funksional në vitin 2019, u mundëson kompanive që sponsorizimet në sport t’i zbresin deri në 30 për qind nga tatimi në fitim.

Kjo është një prej normave më bujare të këtij lloji në rajon dhe një mekanizëm shumë i rëndësishëm për ekonominë sportive të Kosovës.

Modeli u ndërtua duke marrë për bazë përvojat e Gjermanisë, një prej vendeve me traditën më të zhvilluar sportive.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces pati Remzi Ejupi, ish-president i FC Prishtinës, i cili së bashku me deputetë dhe përfaqësues të tjerë të sportit udhëtoi në Gjermani për të studiuar këtë model.

Ejupi e ka përmendur veçanërisht kontributin e Nait Hasanit, Bekim Haxhiut dhe të tjerëve që u angazhuan për jetësimin e tij.

Pas disa vitesh përpjekjesh dhe zvarritjesh ligjore, në vitin 2019 u krijuan kushtet për zbatimin e tij.

Se sa shumë po shfrytëzohet ky mekanizëm, e dëshmojnë shifrat e vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Sportit në MKRS, klubet dhe federatat sportive përfituan gjithsej 24.45 milionë euro nga sponsorizimet.

Prej tyre, mbi 21.3 milionë euro shkuan për klubet, ndërsa rreth 2.73 milionë euro për federatat.

Vetëm klubet e futbollit përfituan rreth 14.12 milionë euro, duke e bërë këtë sport përfituesin më të madh të mekanizmit.

Në mesin e përfituesve kryesorë ishte edhe Federata e Futbollit e Kosovës, me 1.313 milionë euro, ndërsa FC Prishtina përfitoi mbi 1.13 milionë, KF Ballkani 941 mijë dhe SC Gjilani mbi 868 mijë euro.

Përfitimet nuk kufizohen vetëm te futbolli. Basketbolli, volejbolli, hendbolli dhe sportet e tjera po shfrytëzojnë gjithashtu këtë mundësi.

KB Ylli, KB Trepça dhe KB Sigal Prishtina janë ndër përfituesit më të mëdhenj në vend, me mbi një milion euro sponsorizime secili gjatë vitit 2025.

Kjo tregon se ligji nuk është vetëm një ndihmë për klubet e mëdha, por një instrument që mund të mbështesë të gjithë ekosistemin sportiv, nga klubet profesioniste deri te federatat dhe projektet zhvillimore.

Natyrisht, ky mekanizëm duhet të shoqërohet me transparencë dhe kontroll të rreptë për mënyrën sesi shpenzohen paratë.

Raportet e auditimit kanë evidentuar edhe mangësi në raportim dhe mbikëqyrje, prandaj institucionet duhet të sigurohen që çdo euro të shkojë në funksion të sportit.

Por rëndësia e këtij ligji është e padiskutueshme. Ai ka krijuar një urë financiare mes bizneseve dhe sportit, duke i dhënë këtij të fundit një mundësi që më parë pothuajse nuk ekzistonte.

Sot, 24.4 milionë eurot e sponsorizimeve janë dëshmi se ky ligj është një prej mekanizmave më të rëndësishëm për mbijetesën dhe zhvillimin e sportit kosovar.

Për klubet tona nuk është thjesht një privilegj tatimor – është një mundësi për të mos u shuar. /Zëri