Hungaria pritet të heqë veton për negociatat e anëtarësimit të Ukrainës në BE
Hungaria pritet të heqë veton për hapjen e dy grupeve të fundit të negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Vendimi pritet të formalizohet të premten, gjatë një takimi të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, bëjnë të ditur dy burime diplomatike për Euronews.
Sinjali për këtë ndryshim qëndrimi u dha nga Andras Biro-Nagy, sekretari i Shtetit i Hungarisë për Çështjet e BE-së në Zyrën e Kryeministrit, gjatë një diskutimi mbi zgjerimin, përpara mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të mbajtur të enjten në Bruksel.
Budapesti ka bllokuar prej kohësh procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke kundërshtuar hapjen e grupeve negociuese. Kjo veto ka penguar gjithashtu edhe përparimin e Moldavisë drejt anëtarësimit, pasi proceset e të dy vendeve mbeten të lidhura.
Ndryshimi i qëndrimit të Hungarisë nisi pas ardhjes në pushtet të Peter Magyar, i cili mposhti Viktor Orbanin pas 16 vjetësh në krye të qeverisë.
Ndërkohë, procesi negociues i Ukrainës ka shënuar përparim gradual. Grupi i parë negociues u hap në qershor, i dyti në korrik, ndërsa dy grupe të tjera në tetor.
Një zhvillim i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes Kievit dhe Budapestit ishte edhe marrëveshja e arritur muajin e kaluar për të drejtat e pakicës etnike hungareze në Ukrainën perëndimore. Marrëveshja u miratua më pas edhe nga parlamenti ukrainas, duke krijuar kushte për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.