Zelensky: Anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën dhe Evropën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se anëtarësimi në NATO do të përbënte garancinë më të fuqishme të sigurisë për Ukrainën dhe Evropën.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Zelensky bëri thirrje për integrimin e plotë të Kievit në BE dhe për përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në negociatat e ardhshme me Rusinë.

“Anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën dhe në fakt për të gjithë Evropën”, tha ai.

Ai argumentoi se ndërthurja e kapaciteteve ushtarake, përvojës dhe teknologjisë së Ukrainës me ato të NATO-s dhe BE-së do të forconte aftësinë e të dy organizatave për të garantuar sigurinë dhe mënyrën e jetesës në Evropë.

“Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një garanci sigurie për të gjithë ne. Puna e mëtejshme për garancitë e sigurisë duhet të bazohet në elemente të tilla si integrimi i plotë i Ukrainës në BE. Dhe ky integrim duhet të përshpejtohet”, tha ai.

Zelensky tha se Kievi “po u paraqet partnerëve tanë zgjidhje të mundshme për këtë çështje, garanci sigurie për Ukrainën të bazuara në atë që përfaqëson NATO-ja”.

Ai gjithashtu konfirmoi se Ukraina dhe SHBA-ja kishin rënë dakord për nevojën e pjesëmarrjes së Evropës në negociatat me Rusinë.

“Tani duhet të zhvillohet një takim katërpalësh, Ukraina, Evropa, Amerika dhe Rusia. Shpresojmë shumë që kjo të ndodhë. Sipas mendimit tonë, agjenda e këtij takimi duhet të hartohet dhe miratohet bashkërisht nga të gjithë ne, Ukraina, Evropa dhe Amerika”, tha ai.

“Dhe së bashku duhet të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të siguruar që Rusia të angazhohet në punë serioze dhe përmbajtësore, në vend që të humbasë kohë”, shtoi ai.