Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në Prizren dhe Krushë të Madhe

Erërat e fuqishme që po përfshijnë Kosovën gjatë mbrëmjes së 19 nëntorit po shkaktojnë dëme në disa zona të vendit.

Dëme janë raportuar në Krushë të Madhe të Rahovecit, ku erërat e forta kanë goditur serrat bujqësore, duke shkaktuar dëme në to.

Probleme nga erërat janë raportuar edhe në Prizren. Në Shadërvan, fuqia e erës ka rrëzuar dhe dëmtuar tavolinat e karriget e vendosura jashtë lokaleve të gastronomisë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të fryjnë erëra të fuqishme nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa gjatë rafaleve shpejtësia mund të jetë edhe më e lartë.

Sipas IHK-së, intensiteti më i madh i erës pritet nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.

Instituti ka parashikuar gjithashtu mot kryesisht të vranët, me reshje të lehta shiu dhe intervale me ndërprerje.

Për shkak të erërave të fuqishme, IHK ka apeluar për kujdes. /telegrafi