Haradinaj merr pjesë në darkën private të organizuar nga Yll Bajraktari në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në pritjen dhe darkën private të organizuar nga Yll Bajraktari, president i Special Competitive Studies Project (SCSP), me rastin e edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF) në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ishte kënaqësi e veçantë të dëgjonte Bajraktarin duke ndarë përvojat e tij nga vitet e ’90-ta, kur Kosova po përjetonte okupimin.

Ai ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për perspektivën e zhvillimeve teknologjike dhe ndikimin që ato do të kenë në të ardhmen e afërt.

“Sonte pata kënaqësinë të marr pjesë në pritjen dhe darkën private të organizuar nga Yll Bajraktari, President i Special Competitive Studies Project (SCSP), me rastin e edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF) në Kosovë.

Ishte kënaqësi e veçantë ta dëgjoja Yllin duke ndarë përvojat e tij nga vitet e ’90-ta, periudha kur Kosova po përjetonte okupimin, si dhe të dëgjoja perspektivën e tij mbi mënyrën se si teknologjia informative dhe zhvillimet teknologjike do ta formësojnë botën në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Haradinaj.

Ai e ka cilësuar këtë takim si një bisedë frymëzuese, e cila, sipas tij, rikujton rëndësinë e dijes, vizionit dhe përgatitjes për sfidat e së ardhmes.

“Një bisedë frymëzuese, që na kujton rëndësinë e dijes, vizionit dhe përgatitjes për sfidat që na presin.

Yll, faleminderit për frymëzimin! Na ke bërë krenarë!”, ka përfunduar Haradinaj.