“Ronaldinho ndër pesë më të mirët në histori, por ajo që bëri ishte turp” - Cassano shpërthen ndaj brazilianit

Antonio Cassano ka reaguar ashpër ndaj rikthimit të Ronaldinhos në futbollin profesionist, duke kritikuar paraqitjen e legjendës braziliane me skuadrën e Ravenna.

Ish-sulmuesi italian, megjithëse e konsideron Ronaldinhon një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, nuk e ka pëlqyer aspak spektaklin e krijuar rreth rikthimit të tij në moshën 46-vjeçare.

Ish-ylli i Barcelonës luajti pjesën e parë në derbin ndaj Forlit, të cilin Ravenna e fitoi 2:0.

Pas 11 vjetësh larg futbollit profesionist, braziliani u rikthye në fushë dhe madje mori pjesë në aksionin e golit të parë të skuadrës së tij. Megjithatë, për Cassanon, kjo paraqitje nuk kishte kuptim sportiv.

“Kam respekt të madh për Ronaldinhon, si njeri dhe si lojtar. Për mua, ai është në mesin e pesë më të mirëve në histori, së bashku me Messin, Maradonën, Ronaldon dhe ndoshta Pelén”, tha Cassano në “Viva Fútbol”.

Por më pas ai ishte shumë i ashpër: “Ajo që bëri ishte shumë e pakëndshme për t'u parë. Në moshën 46-vjeçare, në atë gjendje, çfarë mund të bënte? Për mua ishte një farsë qesharake. Nuk di si ta interpretoj ndryshe”.

Italiani shtoi se asnjë ofertë financiare nuk do ta bindte atë të rikthehej në fushë në rrethana të tilla.

“Nuk do ta bëja as për 10 milionë, as për 20 milionë euro. Gjithmonë e kam konsideruar Ronaldinhon modest dhe një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë. Prandaj u habita. Për mua, ishte turp dhe një shfaqje qesharake”, përfundoi Cassano. /Zëri