Agim Bahtiri në gjykimin ndaj Faruk Mujkës e Hysen Muzliukajt: Proces politik, jo juridik

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten, në gjykimin ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të akuzuar për korrupsion, u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit ish-kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, njëherësh deputeti Agim Bahtiri. Ai deklaroi se ky proces është tërësisht politik, sepse, sipas tij, gjithçka ka qenë e drejtë dhe legjitime.

“Ky proces është politik, jo juridik. Nuk ka të drejtë t’i ngrihet aktakuzë askujt për arsye politike. Këtë procedurë që e ka bërë Prokuroria ka qenë e panevojshme, sepse betohem në 26 nipat dhe mbesat që i kam se gjithçka ka qenë e ndershme”, tha deputeti Bahtiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.

Gjatë dëshmisë së tij, Bahtiri deklaroi se përpos pronës kontestuese e cila është këmbyer, ka pasur edhe shumë prona të tjera të cilat kanë qenë në interes të Komunës për t’u këmbyer, me qëllim të lirimit të rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicë.

Sipas Bahtirit, Drejtoria e Urbanizmit ka kontaktuar me pronarët e këtyre pronave dhe ka negociuar.

Ndërsa, sa i përket pronës kontestuese, Bahtiri tha se kjo pronë ka qenë komunale pasi që sipas tij, ka pasur fletën poseduese dhe ka qenë e regjistruar në Kadastër si e tillë.

Për këmbimin, Bahtiri deklaroi se nuk ka qenë aty kur është kryer dhe se është vënë në dijeni për këtë këmbim pasi ka pranuar vlerësimin nga Ministria e Financave, e cila sipas tij, e ka legjitimuar këmbimin.

Agim Bahtiri shtoi se këmbimi është nënshkruar nga nënkryetari i tij- tani i akuzuari Faruk Mujka dhe tha se atij i beson plotësisht dhe se vendimet e tij i konsideron plotësisht të drejta dhe si të ishin në emër të vet Bahtirit.

Gjithashtu, Bahtiri tha se për këtë pronë ka bërë vlerësim edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe sipas tij, e ka pranuar atë vlerësim më 1 qershor 2021.

Dëshmitari Bahtiri deklaroi se shpronësimin e kësaj prone e kishte bërë kryetari i mëparshëm i Mitrovicës së Jugut, në vitin 2012. Andaj, tha se nuk ka njohuri për procedurën e shpronësimit sepse kur e ka marrë mandatin si kryetar i Komunës, prona ka qenë e shpronësuar.

Ndërsa i pyetur se a ka qenë në dijeni se OSBE-ja ka qenë e vendosur në këtë objekt, a ka pasur padi civile për këtë pronë dhe a ka njohuri për kontratën e lidhur mes Bankos-it me Komunën në vitet ’70, Bahtiri tha se nuk ka njohuri për këto çështje.

“Unë nuk kam njohuri që ka qenë pronë e dikujt as prona, as parcela. Prona është pronë komunale sepse është fleta poseduese. Të gjitha pjesët institucionale i ka kaluar, të gjitha në mënyrë të rregullt. Kur kam dëgjuar për këtë rast më ka ardhur jashtëzakonisht keq”, tha deputeti Bahtiri.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja speciale Habibe Salihi, në pyetjen se në Prokurori, Bahtiri kishte deklaruar se është vënë në dijeni për rastin pasi ka përfunduar mandatin ndërsa në gjykatë tha se me pranim të vendimit nga Ministria e Financave, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra, ia tërhoqi vërejtjen asaj, për të mos komentuar pyetjet e drejtuara ndaj dëshmitarit.

Seanca pritet të vazhdojë edhe në sesionin e pasdites me dëshminë e dëshmitarit të radhës.