Zyrtare: Këta janë tre kandidatët për postin e presidentit të FIFA-s

FIFA ka bërë të ditur se tri kandidatura janë paraqitur nga federatat anëtare për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të mbahen më 18 mars 2027, në kuadër të Kongresit të 77-të të organizatës, në Rabat të Marokut.

Në mesin e kandidatëve është presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili synon të vazhdojë drejtimin e organizatës më të madhe të futbollit botëror edhe për një mandat tjetër.Krahas tij, në garë janë propozuar edhe Philippe Diallo dhe Kohzo Tashima. FIFA ka bërë të ditur se emrat janë renditur sipas rendit alfabetik.

Megjithatë, para se kandidaturat të bëhen zyrtare, ato duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit nga Komiteti Zgjedhor i FIFA-s.

Ky organ do të vlerësojë nëse kandidatët i përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në rregulloret e organizatës.

Sipas njoftimit të FIFA-s, federatat anëtare do të informohen për kandidatët e propozuar që do të pranohen nga Komiteti Zgjedhor jo më vonë se më 18 shkurt 2027.

Votimi do të zhvillohet më 18 mars 2027, në Kongresin e 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, ku do të përcaktohet se kush do ta udhëheqë futbollin botëror në mandatin e ardhshëm.