Kurti pas takimit me Serwerin: Gjithmonë sfidë koha, s’mjafton për të gjitha këshillat e vlefshme të profesorit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ish-diplomatin e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer.
Kurti në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook shkruan se me ish-diplomatin Serwer kanë biseduar për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe zhvillime të tjera.
“Përherë kënaqësi të takohem me profesorin dhe ish-diplomatin e lartë të SHBA-së, Daniel Serwer. Çdoherë që vjen në Kosovë më nderon me vizitë në Zyrën e Kryeministrit, por gjithmonë e kemi sfidë kohën, që s'mjafton për të gjitha këshillat dhe mendimet e vlefshme të profesorit Serwer.
Dje u takuam për herë të parë pas aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe zgjedhjeve të mbajtura në Serbi dhe në SHBA. Biseduam për këto ngjarje, si dhe për zhvillime të tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.
Si çdo herë, profesorin Serwer e falënderova për kontributin e tij të vazhdueshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës”, shkruan Kurti.