Paralajmërimi për dimër të “vështirë energjetik” i shqetëson qytetarët: Faj kanë udhëheqësit e shtetit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me vështirësi në furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit.

Shtrenjtimi i rrymës dhe i druve për ngrohje po shqetëson qytetarët, veçanërisht pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Ata që ngrohen me energji elektrike druhen se ndërprerjet mund t’i lënë pa ngrohje në ditët e ftohta.

Zeqir Buzaku tha për Ekonomia Online se shumë familje tashmë ngrohen me klima dhe se ndërprerjet do t’ua vështirësonin përballimin e të ftohtit.

“Po me thënë të drejtën tash ka me na shkaktu problem shumicës. U shtrenjtuan drutë, u shtrenjtua rryma dhe filluam me u nxehë me klima. Tash shumica me klima jemi tu u nxehë. Me bo me u ndalë rryma, sidomos na pleqtë kena me maru së ftohti. Edhe e shtrenjtë është sa duhet. Ndoshta për dikë që i ka kushtet më të mira nuk është rryma e shtrenjtë, por për një kategori të qytetarëve është e shtrenjtë. Për shembull unë e marr pensionin 240 euro, ndërsa rryma më vjen diku 70 euro”, tha Buzaku.

Ai i kritikon institucionet për mungesën e zgjidhjeve afatgjata, teksa ka shtuar se puna për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike është dashur të niste më herët.

“Po faji gjithmonë mbetet jetim. Ia qesin njëri-tjetrit. Për me u bë më mirë ka vyjtë me fillu më herët, se nuk bëhen shpejt këto sene. Është dashtë me u mendu më herët, me bo një zgjidhje, me shtu megavatët e rrymës. Po nuk di, veç ku janë, aty rrinë e veç këqyrin. Jo po shtrenjtohet, jo s’po blejmë, jo shtrenjtë, jo lirë. Na për çdo vit me këto probleme”, potencoi ai.

Ndërkaq qytetari tjetër, Bashkim Desku se paralajmërimet për mungesë të rrymës, të ujit dhe të gjërave elementare shtojnë shqetësimin te familjet dhe pensionistët.

“Çdo paralajmërim i keq shkakton shqetësim psikologjik. Me të thanë se s’ka me pasë rrymë, s’ke me pasë bukë, s’ke me pasë ujë, kjo i shqetëson familjarët dhe pensionistët. Për pensionistët është ba shumë keq. Unë tanë jetën jam mundu me punu për këtë shtet. Në qoftë se rryma ndalet shpesh, mund të prishen televizori, frigoriferi dhe pajisjet e tjera që punojnë me rrymë. Mund të prishet edhe ndonjë pajisje elektrike që kushton shumë”, theksoi Desku.

Desku ua atribuon përgjegjësinë për situatën prodhuesve dhe menaxhuesve të energjisë, si dhe udhëheqjes së shtetit.

“Gjithëkush thotë se s’është faji jem. Faj kanë edhe ata që e prodhojnë rrymën elektrike dhe ata që e menaxhojnë. Gjithsesi, faj ka edhe udhëheqësia e shtetit. Rruga më e mirë është me e prodhu vetë energjinë elektrike. Na flejmë mbi energji, por për shkak të keqmenaxhimit tash po vuajmë për rrymë”, shtoi.

Ndërkaq, Ajvaz Abazi potencon se furnizimi me energji elektrike është thelbësor për jetën e përditshme dhe zhvillimin ekonomik.

“Sipas lajmërimeve që po i bëjnë do të jetë një dimër i vështirë. Me mbet pa rrymë është katastrofë për popullin, për ne, për jetën sepse rryma është një prej elementeve kryesore të jetës. Pa rrymë nuk ka jetë. Në qoftë se ndalet rryma, mund të shkaktohen dëme të mëdha. Frigoriferët e frizat ndoshta nuk prishen, por ushqimi prishet. Njerëzit e kanë siguruar ushqimin për dimën. Në qoftë se prishet, atëherë çka me bo?”, tha ai.

Sipas Abazit, Kosova është dashur të investonte në ndërtimin e një termocentrali të ri që do të mbulonte nevojat e vendit dhe do të mundësonte eksportin e energjisë.

“Rruga më e mirë ka qenë me ndërtu një termocentral të ri që kishte me prodhu rrymë për me e furnizu Kosovën e edhe për me shitë. Mirëpo, këtu është një fjalë popullore: njani e gjuan cungun aty, tjetri atje, njani kështu, njani ashtu. Nuk del kurgjë kur njani-tjetrin nuk e përkrahin, nuk e hapin krahun për me përparu, me shku përpara e me u zhvillu ekonomia dhe të gjitha lamitë e jetës”, përfundoi Abazi.

Ditë më parë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar një dimër të vështirë energjetik, duke thënë se çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur në rreth 500 euro për megavat-orë që në ditët e para të nëntorit.

Rizvanolli ka theksuar se edhe Kosova po përballet me sfida, sidomos për shkak të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit që nga 6 prilli për shkak të investimeve në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit.