Paralajmërimet për erëra të forta, institucionet me rekomandime për qytetarët

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se sot pritet të ketë erë të fortë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi 30–45 km/h, ndërsa gjatë rafaleve mund të arrijë shpejtësi edhe më të larta.

IHMK-ja njofton se intensiteti më i madh i erës pritet nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.

Instituti thekson se moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të lehta shiu dhe intervale me ndërprerje, me sasi që lokalisht mund të arrijnë rreth 1 mm brenda tri orëve.

Kjo ditë pritet të karakterizohet nga paqëndrueshmëria më e theksuar atmosferike, veçanërisht nga erërat e forta.

“Presioni atmosferik pritet të zbresë deri në rreth 999 hPa. Në orët e vona të ditës parashihet kalimi i një fronti atmosferik, i cili do të ndikojë në ndryshimin e drejtimit të erës. Kujdes: Për shkak të erërave të forta, qytetarët këshillohen të sigurojnë objektet e lehta në hapësirat e jashtme. Kujdes i veçantë rekomandohet për tabelat reklamuese, skelat e ndërtimit dhe gjatë qarkullimit rrugor, sidomos në hapësira të hapura”, thekson IHMK-ja. /Zëri