Delegacioni i Kuvendit të Kosovës merr pjesë në sesionin e APF-së në Bruksel

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në punimet e Sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale për Evropën të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), që po mbahet në Bruksel, me temën “Evropa, përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”.

Sipas njoftimit të Kuvendit, delegacioni përbëhet nga deputeti Nezir Kraki, në cilësinë e kryesuesit, dhe deputetja Eliza Hoxha, anëtare.

Punimet kanë nisur me Takimin e Kryetarëve të Seksioneve Evropiane të APF-së, ndërsa të enjten është paraparë të mbahet seanca plenare në Parlamentin Evropian.

Më 20 nëntor, diskutimet do të vazhdojnë në Parlamentin e Federatës Wallonie-Bruxelles, ku në fokus do të jetë Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijës, me temën “Mekanizmat e solidaritetit në Evropë”.

Asambleja Parlamentare e Frankofonisë synon të forcojë dialogun parlamentar, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërmjet seksioneve evropiane, duke promovuar vlerat e përbashkëta dhe diversitetin gjuhësor e kulturor.

Kuvendi i Kosovës në këtë organizatë ka statusin e anëtarit të asociuar me të drejtë vote.