Hargreaves viziton Policinë e Kosovës, në fokus thellimi i bashkëpunimit me Britaninë

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili ishte i shoqëruar nga përfaqësues të ambasadës.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në mbështetjen britanike për avancimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionalizimin e mëtejmë të Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, kolonel Hoti ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes, shkëmbimit të përvojave, trajnimeve dhe iniciativave të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Në fund të takimit, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.