Investitorët japonezë në Kosovë, në fokus mundësitë për bashkëpunim ekonomik
Mundësitë për investime dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë ishin në fokus të një takimi të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, me 19 përfaqësues të bizneseve dhe investitorëve japonezë, në kuadër të Forumit të Brezovicës.
Delegacioni japonez u udhëhoq nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, kjo është vizita e dytë e përfaqësuesve të bizneseve dhe investitorëve japonezë në Kosovë, pas vizitës së realizuar vitin e kaluar.
Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialet ekonomike të Kosovës dhe reformat strategjike që synojnë zhvillimin industrial dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit, duke përfshirë edhe Strategjinë Industriale 2030.
Në diskutime u përfshinë disa fusha me interes për investime dhe bashkëpunim, ndër to zhvillimi i infrastrukturës hekurudhore, ndërtimi i kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë së pastër, përmirësimi i kapaciteteve logjistike dhe menaxhimi i transportit të mallrave.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, veçanërisht zhvillimit të sistemeve softuerike. Sipas ministres Kusari-Lila, të rinjtë dhe profesionistët e Kosovës po tërheqin gjithnjë e më shumë interesimin e tregjeve globale.
Ministrja, po ashtu, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me kompanitë japoneze dhe intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.
Takimi në kuadër të Forumit të Brezovicës shërbeu për shkëmbimin e informatave dhe shqyrtimin e mundësive konkrete për bashkëpunim ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.