Nesër seanca e Kuvendit, projektbuxheti i vitit 2027 në rend dite

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë plenare, duke filluar nga ora 11:00, në të cilën janë paraparë për shqyrtim disa projektligje dhe çështje të tjera parlamentare.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa pritet të procedohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.

Në rend dite është edhe zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Seanca përfshin edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Në fillim të seancës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Rendi i ditës

  • Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
  • Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  • Pyetjet parlamentare,
  • Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë, nr. 03/11 datë 16.11.2026,
  • Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027,
  • Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-020 për Efiçiencë të energjisë,
  • Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-023 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,
  • Procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,
  • Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës,
  • Zgjedhje e dy (2) anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,
  • Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër (4) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
  • Propozimi i GP të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.