Spitali i Prizrenit jep detaje për vdekjen e 59-vjeçarit, që u plagos në Suharekë
Spitali i përgjithshëm “Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka dhënë detaje lidhur me rastin e plagosjes me armë zjarri në Suharekë, ku humbi jetën një 59-vjeçar.
Sipas Spitalit, personi i lindur në vitin 1967 është sjellë sot rreth orës 12:50 në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit nga ekipi i urgjencës nga Suhareka, pa shenja jete.
Gjatë ekzaminimit, mjekët kanë konstatuar disa plagë në trup, të shkaktuara nga arma e zjarrit, transmeton Zeri.info.
Menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme të reanimimit nga ekipi i emergjencës, kirurgu dhe anesteziologu kujdestar.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për reanimim kardiopulmonar, ato kanë rezultuar pa sukses dhe është konstatuar vdekja e pacientit.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka vazhduar me procedurat dhe veprimet e mëtejshme ligjore. /Zëri